Kampionët e Kosovës, Ballkani ishin autorë të një paraqitje impresionuese duke fituar ndaj Ludogorets me rezultatin 2:0 në rrethin e parë kualifkues të Ligës së Kampionëve.

Ilir Daja tregohet edhe njëherë që është “mastermind” i portokallezinjëve, duke i dominuar kampionët bullgar në të gjitha aspektet.
Në stadiumin “Fadil Vokrri”, Ballkani zbriti në fushë me vetëm dy ndryshime në formacion për dallim nga sezoni i kaluar ku luajtën në Grupe të Conference League. Portieri Enea Koliqi dhe mbrojtesi Lorenc Trashi ishin risitë e Dajës, dhe të dy bënë paraqitje fantastike.

Bashkë me pjesën tjetër të futbollistëve gjithçka funksiononte me automatizëm. 12 herë kampionët e Bullgarisë, Ludogorets ishin të bllokuar totalisht sidomos në pjesën e parë, me Ballkanin që bëri një paraqitje të shkëlqyer në aspektin mbrojtës, me theks të veçantë mesfusha ku shkëlqeu Lindon Emërllahu.
20-vjeçari pati plot 14 topa të fituar duke zotëruar mesfushën bashke me Zybën dhe kapitenin Edvin Kuc. Për sa i përket sulmit, Ballkani nuk doli asnjëherë jashtë lojës së vet duke luajtur me 3 sulmues, madje duke bërë presion të lartë që tek mbrojtja kundërshtare. Nazmi Gripshi luajti si sulmues krahu, pas largimit të Ermal Krasniqit duke qenë rrezik konstant për portën kundërshtare.
Goli i parë u shënua nga Meriton Korenica si rrjedhojë e një aksioni të mirëorganizuar me Trashin që u rishfaq si ai i vjetri në formë optimale. Ishte pikërisht 31-vjeçari nga Gramshi ai që asistoi te goli i dytë i shënuar nga Qëndrim Zyba 10 minuta pas startit të pjesës së dytë.
Pas pësimit të dy golave, Ludogorets u vërsul krejtësisht përpara, por edhe pse me vështirës, kampionët e Kosovës ditën ta ruajnë epërsinë deri në fund. 2:0 është një rezultat i mirë por nuk garanton asgjë për ndeshjen e kthimit pasi në Razgrad do të duhet një tjetër ndeshje historike për të arritur kualifikimin.