Bekim Rexhepi nuk është më portieri i Partizanit. 26-vjeçari ishte titullar sezonin e shkuar, duke dhënë një kontribut të madh në titullin e 17-të kampion të “Demave”. Ka qenë klubi i kuq që njoftoi “divorcin” me shqiptarin nga Maqedonia e Veriut.

“Partizani njofton mbylljen e bashkëpunimit me Bekim Rexhepin. Portieri dhe klubi kanë vendosur të ndërpresin me mirëkuptim kontratën mes tyre. Klubi falenderon Bekim Rexhepin për kontributin e dhënë në fitimin e titullit të 17-të kampion, duke i ururar njëkohësisht shumë suksese në vazhdim të karrierës së e tij. Kënaqësi që ishe pjesë e familjes tonë të madhe Partizani”, njoftuan kampionët në fuqi të vendit.

Ndryshe nga sa u fol dje, te Partizani janë treguar të pakujdesshëm, teksa e kanë përfshirë lojtarin në foto-sesionin e sezonit të ri. Dukshëm video e postuar këtë të shtunë në kanalet e komunikimit nga klubi i kuq ka qenë e përgatitur më herët, me Rexhepin që nuk do jetë më pjesë e ekipit.

Pas afrimit të Pano Qirkos për portën, si edhe prezencës së Alban Hoxhës, porta e Partizanit ka qenë e mbipopulluar, me Rexhepin që gjeti akordin me klubin për largim.