Një 28-vjeçare që shfrytëzohej për prostitucion dhe tutori i saj Tajar Vrenozi kanë rënë në prangat e policisë së Durrësit. E reja bashkë me 38-vjeçarin ishin shpallur në kërkim për këtë veprimtari kriminale.

Nga provat e siguruara si rezultat i një hetimi katërmujor, dyshohet se 38-vjeçari kanoste 28-vjeçaren e identifikuar si V. M., për të ushtruar prostitucion, si dhe i siguronte asaj klientë nga Shqipëria, Italia dhe Belgjika, për ta kryer këtë veprimtari kriminale, kundrejt pagesave 150-300 euro.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një automjet, 4 celularë dhe një tablet.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Më parë, në kuadër të operacionit Flower ranë në pranga tre të rinj në Durrës që shfrytëzonin një 22-vjeçare për prostitucion.