Nga Alban Dafa/

Shtrirja e sovranitetit të Republikës së Kosovës në veri është thelbësore. Por po aq thelbësore për sigurinë e Kosovës është krijimi i marrëdhënieve të mirëbesimit me serbët e Kosovës në veri. Kjo është një sfidë madhore jo vetëm e Republikës së Kosovës, por edhe e qytetarëve të saj. Qeveritë e Kosovës janë mjaftuar me pasjen e një sovraniteti formal mbi veriun, të kufizuar në kontrollin e pikave kufitare me Serbinë dhe me integrimin e një pjese të strukturave paralele serbe – polici, gjyqësor e pjesërisht të pushtetit vendor. Kjo gjendje i shërbente Serbisë, e cila kishte kontrollin efektiv mbi serbët e veriut, – qeverive të Kosovës, të cilat mund të shpreheshin se e kishin veriun nën kontroll, si dhe bashkësisë perëndimore, së cilës i leverdiste të mos merrej me problemin thelbësor të marrëdhënieve të pasluftës midis Serbisë dhe Kosovë – pra, sovranitetin e plotë të Republikës së Kosovës brenda territorit të saj.

Kryeministri Kurti, në përpjekjet e tij për të shtrirë sovranitetin e Republikës në veri, duket se është udhëhequr krejtësisht prej interpretimit të tij të së drejtës morale dhe kushtetuese të Republikës, pa marrë në konsideratë forcat kundërshtare ndaj tij. Duke qenë besimplotë në fuqinë e moralit dhe së drejtës së veprimit të një shteti demokratik, ai duket se ka anashkaluar krejtësisht të drejtën morale të serbëve të Kosovës për të mos u ndier të përfaqësuar në Republikën e Kosovës dhe varësinë e skajshme të Republikës së Kosovës ndaj bashkësisë perëndimore për njohje ndërkombëtare, siguri dhe rritje të kapaciteteve institucionale.

Është e paqartë nëse kryeministri Kurti është i ndërgjegjshëm për stuhinë në të cilën ndodhet Kosova. KFOR-i ishte krejtësisht i heshtur në lidhje me çështjen e rrëmbimit të tre policëve të Kosovës prej forcave serbe në mes të qershorit, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) patën vendosur ta përjashtojnë Kosovën prej aktiviteteve të mbetura të stërvitjes ushtarake shumëkombëshe ‘Defender 2023’ për shkak të dislokimit të njësisë speciale të Policisë së Kosovës për të shoqëruar kryetarë e rinj të komunave në veri. Ndërkohë në fund të qershorit, Komisioni Evropian mori masa për të pezulluar takimet e nivelit të lartë dhe financimin e Kosovës nëpërmjet programit të para-anëtarësimit IPA 2024. Ky vendim duket se është marrë në kundërshtim të plotë të legjislacionit të Bashkimit Evropian (BE) duke qenë se përfundimet e mbledhjes the Këshillit Evropian të datave 29-30 qershor parashikojnë se nëse palët – Serbia e Kosova – nuk shtensionojnë situatën, do të përballen me pasoja, por Këshilli nuk miratoi masa ndëshkuese ndaj Kosovës.

Kurti i ka kritikuar këto qëndrime si të padrejta. Sipas Kurtit, Kosova, si një shtet i pavarur, tashmë i ka interesat e saj mbi të cilat nuk bën lëshime, por ndan të njëjtat vlera me bashkësinë perëndimore dhe ka një orientim të vendosur gjeopolitik ndaj saj. Sipas tij, bashkësia perëndimore duhet ta ndihmojë Kosovën ndërkohë që ajo përballet me Serbinë, të cilën Kurti e konsideron si përfaqësuese e antivlerave demokratike e perëndimore.

Mirëpo duket se kjo qasje ideologjike është sa naive, aq edhe e pabazuar në mësime historike. Kurdët, për shembull, kanë të drejtë morale për të pasur një shtet të tyre, por faktikisht nuk e kanë një të tillë. Ne shqiptarët kemi pasur të drejtë për të pasur shtetin tonë që përfshin të gjithë territorin ku patëm qenë shumicë pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane, por nuk e kemi atë shtet. Pra, e drejta morale nuk përkthehet domosdoshmërisht gjithnjë me përkrahje ndërkombëtare. Faktorë të rëndësishëm që ndikojnë në baraspeshimin e forcave në marrëdhënie ndërkombëtare – popullsia, territori, si dhe fuqia ekonomike, ushtarake e diplomatike – janë thelbësorë në politikëbërje e nuk mund të anashkalohen kurrsesi.

Fatkeqësisht, udhëheqësit shqiptarë kanë dështuar t’i kuptojnë këta faktorë. Duke qenë të vetëdijshëm për dobësitë e shtetit të Shqipërisë dhe atij të Kosovës – prej shpalljes së pavarësisë në 2008 – e kanë përqafuar pozitën servile ndaj një shteti tjetër më të fuqishëm që ua siguron mbijetesën. Kësisoj e kanë neglizhuar krejtësisht ndërtimin e kapaciteteve institucionale dhe forcimin e instrumenteve të fuqisë kombëtare e përkatësisht ato ushtarake, ekonomike dhe diplomatike. Por ndërkohë që pjesa dërrmuese e elitave politike shqiptare nuk kanë arritur të kuptojnë që pozitat e tyre nuk do të jenë kurrë të sigurta pavarësisht servilizmit e nënshtrimit të tyre ndaj një fuqie të madhe – sikundër provon rasti i Sali Berishës, i shpallur non-grata nga SHBA, e i udhëheqësve të UÇK-së që ndodhen në Hagë të akuzuar për krime lufte – Kurti duket se nuk po kupton dobësitë dhe varësitë strukturore të shtetit të Kosovës.

Nga ana tjetër, ndonëse kryeministri Kurti po i bën ballë një presioni të jashtëzakonshëm e shpeshherë të padrejtë prej bashkësisë perëndimore, duket se gjendja ka arritur në një fazë ku duhet përcaktuar një qasje më e matur e strategjike ndaj saj. Është e qartë që pozita e Serbisë po favorizohet tej mase, pavarësisht qëndrimit prorus e destabilizues të Beogradit dhe autokracisë së regjimit të presidentit Vuçiq. Nga ana tjetër, fuqizimi i shtetit të Kosovës varet prej mbështetjes së bashkësisë ndërkombëtare. Pa mbështetjen e tyre diplomatike, Kosova do ta kishte krejtësisht të pamundur të shtrinte sovranitetin e saj në veri e pa financimin e bashkësisë perëndimore, do ta kishte të vështirë të ndërtonte institucione të konsoliduara dhe të fuqizonte ekonominë e saj. Kjo nuk do të thotë kurrsesi që kryeministri Kurti t’i nënshtrohet vullnetit të bashkësisë perëndimore, por do të ishte në interesin e Qeverisë së Kosovës që të mos ia vështirësonte punën vetes duke vepruar pa një plan të qartë për veriun e duke krijuar armiq të panevojshëm.

Kapërcimi i rezistencës së serbëve të veriut dhe fuqizimi i Republikës së Kosovës nuk mund të arrihen pa mbështetjen e bashkësisë perëndimore. Rrjedhimisht, do të ishte në interes të Kosovës që qeveria Kurti të kryente një tërheqje të përshkallëzuar të forcave policore, duke lënë një kontigjent të posaçëm për të parandaluar akte terroriste. Më tutje do të ishte e udhës të hartonte, konsultonte e publikonte një draftstatut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Miratimi i draftstatutit do të duhej të kushtëzohej mbi heqjen e strukturave paralele, rikthimin e serbëve në institucionet e Kosovës, si dhe zgjedhjet e parakohshme për komunat e veriut ku do të garantohej pjesëmarrja e serbëve.

Nëse këta hapa diskutohen haptazi e në mirëbesim nga Qeveria e Kosovës me qytetarët në veri dhe në pjesën tjetër të vendit, pozicioni i Kosovës në rajon dhe gjetkë do të përmirësohej ndjeshëm. Në këtë mënyrë, ajo do të fitonte mbështetje më të vendosur, e cila do të shërbente si presion ndaj qasjes së njëanshme të BE-së dhe SHBA-së. Këto hapa do të shërbenin që në të njëjtën kohë Republika e Kosovës të fitonte debatin publik e të influenconte pozitivisht opinion publik ndërkombëtar dhe të dilte prej këtij izolimi që po dëmton fuqizimin e kapaciteteve të saj shtetërore. (Autori është hulumtues pranë Qendrës Kosovare për Studimet e Sigurisë. Më herët ka qenë hulumtues pranë Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim në Tiranë, si dhe ka shërbyer prej vitit 2011 deri në vitin 2019 në radhët e Forcës Detare Shqiptare).