Në fund, vetëm rezultati 1-1 nuk i dha festën legjitime të një skuadre që markoi me gjithçka të bërë si duhet, në ndeshjen e parë absolute në një kompeticion të UEFA-s. Egnatia debutoi në Armeni dhe, përtej vështirësive që bart transferta, skuadra e Edlir Tetovës ishte befasuese, për mënyrën si interpretoi ndeshjen, ritmin e diktuar dhe, në fund, reagimi pas një goli të pësuar në momentin e tyre më të mirë. Në Jerevan, Egnatia luajti si padrone e fushës me 56 % zotërimin e topit, kundër 44 të armenëve.

Një prapavijë e re në krijim, por jo në eksperiencë që rezistoi pa u panikosur, edhe për shkak të punës kolosale që Aleksi, Fernando e Zejnullahi bënë në mesfushë. Vetëm 4 tentativa të lejuara në kuadrat e 5 jashtë në 97 minutat e ndeshjes. Nga ana tjetër, Kasa, Paulauskas e Dëamena e morën përsipër skuadrën, duke ndërtuar në total një invasion të vërtetë në anët e Ermakov. 7 goditje në kuadrat e 5 jashtë me një prezencë të theksuar në zonën kundërshtare me 5 goditje këndi, kundër vetëm një të vendasve. Për të kuptuar llojin e ndeshjes që luajti Egnatia, mjafton të përmendësh faktin se lojtari i tyre më i mirë ishte portiere Ermakov me 6 pritje.

Goli i Dwamena në minutën e 7 shtesë ishte pastaj një kurorëzim i të gjithë përpjekjeve me cilësi e zemër që rrogozhinasit dhanë në fushë, duke krijuar bindjen e fortë se për kthimin e javës së ardhshme, Ararat nuk mund t’i pengojë dot të arrijnë raundin e dytë të Conference League, në tentativën e parë.

Një gol në minutat shtesë evitoi humbjen dhe ringriti kuotat e kualifikimit, aty ku ishin edhe para ndeshjes së parë të Tiranës përballë Dinamo Batumit. Bardheblutë, pavarësisht se nuk arritën të shprehen në nivelin e pritur nga tifozët, kanë gjetur mirëkuptimin e teknikut Orges Shehi.

Nëse fizikisht kryqytetasit lanë për të dëshiruar, për nga karakteri dhanë edhe një herë provën se janë nga ata që nuk dorëzohen. 1-1 i maturuar në Arenën Kombëtare vazhdon të mbajë të barabarta shanset për kualifikim, si pranon edhe tekniku në konferencën për shtyp.

Në Air Albania, bardheblutë patën një ndeshje në ngjitje pas avantazhit të Flamarion. Reagimi erdhi në fundin pjesën e dytë me të zëvendësuesit që morën skenën, sepse këtë herë alternativat Shehi i kishte. E kështu, në minutën e dytë shtesë, Përgjoni krosoi e Lushkja me kokë barazoi rezultatin, duke e lënë kualifikimin të hapur për ndeshjen e kthimit.