Ronaldo Nazario, njohur si “Fenomeni”, pronari aktual i Valladolidit dhe Cruzeiros, kritikoi ashpër punën stërvitore që po bëhet në futbollin brazilian dhe përmendi rastin e Vinicius Jr. si shembull kur ai u transferua nga Flamengo te Reali i Madridit. Ronaldo deklaroi në podcastin “Mano a mano” se Vinicius, kur mbërriti në Madrid, “nuk ishte një lojtar i rafinuar”. “Për shumë vite, talentet që u larguan, u larguan sepse janë të talentuar dhe në shumë raste lojtarë jo të mirë.
Një rast shumë i qartë është ai i Vinícius Jr. Ai u shit te Reali në moshën 18-vjeçare dhe luajti për ekipin B të Madridit”, deklaroi Ronaldo.
“E shihje që nuk ishte një lojtar i rafinuar, deri në atë pikë sa të gjithë thoshin se do të huazohej, derisa të kthehej në Brazil”, vazhdoi ai.
“Është përmirësuar me programet e trajnimit, metodologjinë profesionale, me ndihmën e profesionistëve të mëdhenj. Ai u shndërrua “nga uji në verë” në dy vjet. Sot ai është lojtari më vendimtar, më vendimtari në futbollin botëror”, insistoi Ronaldo.
“Kur mbërriti në Madrid, ai nuk dinte ta kontrollonte topin me këmbën e majtë. Vinicius luajti në Flamengo. Ata nuk e përgatitën siç duhet, sepse nuk ia përmirësuan këmbën e majtë, nuk i përmirësuan bazat teknike, marrëdhëniet e tij mes kohës dhe hapësirës në fushë. Vetëm jashtë u bë më mirë”, tha ish-futbollisti.
Ronaldo beson se kjo situatë në Brazil do të përmirësohet nga viti 2030:
“Brazili do të bëjë një hap në cilësi në rreth pesë ose gjashtë vjet. Ne filluam pesë ose gjashtë vjet më parë me kurse trainimi, kurse metodologjie dhe CBF (Konfederata Braziliane e Futbollit) ka investuar shumë në këtë. Është diçka për të cilën nuk flitet shumë. Kjo do të ndryshojë nivelin e futbollit brazilian, si në trajnimin e trajnerëve, ashtu edhe në metodologji dhe programet bazë”.
Një pikë e rëndësishme, sipas Ronaldos, për të përmirësuar punën stërvitore të futbollistëve brazilianë, është ardhja në Brazil e trajnerëve të huaj: “Ne kemi dhjetë trajnerë të huaj në Serinë A. Ata janë më të përgatitur se brazilianët. E di që do të më kritikojnë për këtë, sepse do të mendojnë se nuk kam patriotizëm dhe preferoj të huajt. Por kjo nuk është e gjitha, ju duhet të punësoni më të mirët. Ka brazilianë të stërvitur, por janë edhe shumë të shtrenjtë”.