UEFA revolucionon formatin e Ligës së Kampionëve, që do të ndryshojë duke nisur nga sezoni 2024/25. Do të jenë një sërë të rejash në këtë kompeticion dhe nuk bëhet fjalë vetëm për numrin e skuadrave pjesëmarrëse në fazën e grupeve, që do të kalojë nga 32 në 36 skuadra. Kalendari i ndeshjeve do të jetë ndryshe, por edhe procesi i kualifikimit, që do të ketë 2 vende shtesë për vendet me renditjen më të mirë. U tha që do të kalohet nga 32 në 36 skuadra në fazën finale të Ligës së Kampionëve. Katër vendet që shtohen do të përcaktohen në këtë mënyrë; një vend do të jetë për federatën që është në vendin e pestë të renditjes UEFA, një për fituesen e kampionatit të vendeve që nuk janë në pozicionet më të larta, ndërsa dy të tjerat për federatat që do të kenë rezultatin më të mirë të përgjithshëm në sezonin paraardhës.

Do të jenë 36 skuadra, por që nuk do të ndahen në grupe, por do të jetë një grup unik, siç po ndodh prej vitesh në Euroleague në basketboll, që do të thotë se formati i ri është konceptuar si një kampionat i mirëfilltë. Është e vështirë të parashikosh një Champions me 35 javë, kështu që skuadrat nuk do të përballen të gjitha me njëra-tjetër, por çdo skuadër do të ketë të njëjtin numër kundërshtarësh të ndarë në vazo dhe për të cilat do të hidhet short.

Do të rritet edhe numri i ndeshjeve të garantuara nga 6 në 8, 4 në shtëpi dhe 4 në transfertë. Për sa i përket kalendarit, UEFA ka konfirmuar se nuk janë parashikuar ndeshje në fundjava deri në finalen e kompeticionit, duke respektuar në këtë mënyrë kalendarin e kampionateve kombëtare dhe ato do të vazhdojnë të jenë në mesjavë. Liga e Kampionëve me formatin e ri do të nisë në mesin e shtatorit dhe do të mbyllet në mesin e janarit, kur do të luhen dy raundet e fundit. Të reja ka edhe për sa i përket Europa dhe Conference Leage dhe bëhet fjalë për javën ekskluzive ku do të luhen ndeshjet e vetëm një komperticioni, që do të shpërndahen ditëve të marta, të mërkura dhe të enjte me oraret e konfirmuara 18:45 dhe 21:00.

Me formatin e ri të Ligës së Kampionëve, 8 skuadrat e para kalojnë direkt në 1/8 e finaleve. Ekipet nga vendi 9 deri në të 24 do të luajnë ndeshje “play off”-i me sistem vajtje-ardhje për të kaluar në 1/8 e finaleve. Skuadrat nga vendi 25 e poshtë do të eliminohen, pra nuk do të ketë rënie të tyre në kompeticionet më inferiore.