Në Angli, ekipet janë “kokë e këmbë” të zhytur në merkato me ekipet “big” që kanë spostuar “betejën” e tyre në tregun e transferimeve. Për momentin dy janë çështjet më të nxehta, e ardhmja e Harry Kane dhe ajo e Mason Mount. Kapiteni i “Tre Luanëve” duket i destinuar për tu larguar nga Tottenham, për këtë nuk ka asnjë dyshim Star Sport. Kane ka bërë gati “valixhet” për tu transferuar në Mynih. Bayern vijon negociatat me ekipin londinez për të mbyllur sa më shpejt këtë transferim.

Nuk ka më asnjë dyshim as në lidhje me Mason Mount. Pas 18 vitesh, talenti anglez largohet nga Chelsea: “Bye bye blues, hello United”, shkruan Mirror në faqen e parë. Me anë të një statusi në rrjetet sociale, Mount njoftoi largimin e tij nga Chelsea. Sulmuesi transferohet te Man.United për 70 milionë euro.

Pasi siguruan shërbimet e Mount, “djajtë e kuq” janë tërhequr nga ideja për të transferuar në “Old Trafford” portierin e Interit, kamerunasin Onana. Drejtuesit e United e konsiderojnë të tepërt kërkesën e Interit, 50 milionë sterlina, me 35 mund të marrin portierin e Brighton, Robert Sanchez.