Nga Kristo Mërtiri
Një mesditë fundmaji fola në telefon. Ku ta dija se ajo do të ishte biseda e fundit me ish-kolegun tonë të dashur?! E ftova në një veprimtari të paharruar, organizuar nga Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë dhe Dega e tij në Gjirokastrën tonë. Folëm gjatë. Folëm plot mall e zjarr. Ashtu i gëzuar e si gjithmonë me humor, kujtuam episode të bukura nga puna si korrespondentë në të njëjtin Qark : Përmet, Tepelenë, Gjirokastër e Sarandë. Më uroi me zemër. Por…” Kemi dasëm të madhe përpara, Kristo vëllai. U rikthye Festivali Folklorik Kombëtar. U rikthye në shtëpinë e vet. Ah, miku im i vjetër, kam dy vjet që nuk lëviz nga krevati ! Më rri Bejazja te koka, tamam si Vasiliqia e këngës…Si nuk do vija unë për ty, do ligjëroja i pari ! Të njoha 47 vite më parë, sapo kishe vënë brisk në faqe. Ti ishe fringo, djalë i ri në Përmet. Atje u bëre baba për herë të parë. Më pyesje shpesh për “Bolexin”(kamera televizive). E quaje veten “amator”. Veçse ti dashuroje gazetën, atje e kishe kokën. Dhe atje vazhdove në dekada, në 8 rrethe. Pa llogaritur shërbimet nga Veriu në Jug. Vazhdon deri sot. Nuk besoj të ketë shembull të dytë në Gazetari që të ketë lëvizur aq shumë me familje, shtëpi e katandi ! Të tjerë drejtues nga qendra(Tirana) shisnin hipokrizi me okë për “gadishmërinë”, “devotshmërinë” dhe “besnikërinë” ndaj direktivave nga lart. Por vetë nuk lëvizën kurrë nga kolltuqet dhe lagjet e Kryeqytetit. Më keq se ajo “këshilla” priftërore : Bëni si them unë dhe mos bëni si bëj unë !…Ndërsa ti dije vetëm të punoje me fjalën, për njeriun e punës në fshat e qytet. Nuk iu lëpive askujt dhe ishe i drejtpërdrejtë në mendime e kritika. Paske kaluar edhe ti ca tërmete shëndtësore, po mos u dorëzo. Të këndoftë pena deri në fund, sidomos për LANÇ, për Dëshmorët dhe Veteranët !…”.
Në memorien time, Ëngjëll Fino ishte dhe mbeti Telekronisti i parë i Qarkut, më punëtori, më i shkathti. Më i kudogjenduri me kamerën që i vriste supet e vogla të trupit të pakët e të thantë. Ishte pasqyra e vërtetë me zë e figurë për Gjirokastrën e më gjerë. “Këmbëlepur” e quanin kolegët, shokë e miq. Nuk mungoi kurrë në asnjë ngjarje historike e aktuale. Dhe kur ? Në një kohë që as bëhej fjalë për mjete elektronike, për celularë, autovetura në dispozicion apo për transmetime “live”. Se ishte mundim më vete nisja e kronikave me kaseta të mbështjella nga letrat me tekstin e lajmit të shkruar. Duhej të gjente makina e autobuzë interurbanë, por edhe udhëtarë të sigurt për të cuar materialet te polici roje i Televizionit Shqiptar ! Më të rinjtë sot habiten ose u duken gati të pabesueshme. Se udha e Gazetarisë së vërtetë, as ka qenë, as është dhe as do të jetë fushë me lule. Dhe as vetëm brenda Unazës së Tiranës… Një kolegu ynë, veteran në media, për këtë profesion shtronte drejtpërdrejt pyetjen dilemë : Ferr apo Parajsë ?! La prapa edhe një libër me këtë titull. Dikur as që mendohej hic se mund të përgatisje shkrime duke u ngujuar në kafene, sic ndodh rëndom sot. Mjaftojnë titrat e një ekrani televiziv, me burim Policinë e Shtetit ose Gjykatat, Prokuroritë e Partitë politike, dhe vërshojnë informatat me komente e pa komente nëpër media e portale calamane që as të ngrohin e as të ftohin. Kujtoj një ish-gazetar hokatar në Durrës-Krujë: “Dëgjoni mua dhe mbani shënim…Këta tipa janë gazetarë laboratori”,-thoshte shpesh i ndjeri Haxhi Shima. Ose thjesht “mbajtës mikrofonash” të pagojë ! Në rastin konkret, ku nuk shkonte Ëngjëll Fino. Nuk kishte krahinë e fshat që s’e njihte nga afër. Shkonte dhe kthehej te “Sheshi i Çercizit”ose poshtë në xhade. Atje merrnin udhë udhët e njerëzisë. Njëlloj siç bënte kur kish shërbyer si arsimtar në Cepunë, Mashkullorë e Lazarat. Te ky i fundit nuk i harrojnë gjurmët e tij përparimdashëse, që nga puna jo e lehtë për heqjen e ferexheve dhe deri te dalja në skenat folklorike të grave e vajzave të mbyllura si në kuvlitë anadollake e ulërake. Bashkë me shokët nuk u dorëzua e as e braktisi betejën për emancipim kulturor e social ! Kurdoherë modest e këmbëkryq me lazaratasit që e donin dhe i donte shumë… A e dini ku i çova fletorkat e para me shkrime të njoma si nxënës i shkollës së mesme Pedagogjike “Pandeli Sotiri” ? Në redaksinë e gazetës lokale “Pararoja”. Në duart e një burri paksa biond, të imët, fjalëbutë e tepër korrekt. Ishte Luani, vëllai i Ëngjos. Një vit punë kishte në gazetë. Pa kurrfarë fodullëku. i thjeshtë, i dashur e serioz. Dy vëllezërit e tjerë, Nusreti e Arbeni, në Arsim e Shëndetësi. Njëri më i mirë se tjetri.
-Si nuk kërkoi asnjë favor, miku yt ?!,- më thotë zëdridhur Bejazja, bashkëshortja me origjinë nga Progonati.-Me dy fëmijë të vegjël e të panëpërkëmbur dhe të rritur shpesh nëpër duart e gjitonëve ose të afërmëve tanë, isha dhe mbeta gjer në fund punëtore me dy turne. Ëngjua shkonte dhe mbetej nëpër rrethet e Qarkut, rrallë bënte pushim. E, kë nuk njihte ai ! Por…një ditë prej ditësh, shkoi puna deri atje sa nuk mbante më ujë pilafi : Po e them për herë të parë, bëri një operacion në njërin sup, iu infektua keq. Askush nuk e mori vesh…
Telekronisti legjendë, ishte nga ai brumë që dyert e zyravë të drejtuesve në rreth, i tundëte vetëm për punët e korrespondentit. E mbylli jetën në një dhomë e kuzhinë ! Aty i rriti e martoi Ilirin dhe Matildën. Nuk u bë qaraman a rrodhe kurrë. “Ka edhe më keq nga ne”,-i thoshte shpesh Bejazes. Dhe kaq. Nuk vazhdonte më tej. Pastronte e bënte gati “Bolexin”(kamerën) dhe ndiqte lajmin e ditës. Kudo duhej shkuar në vend, në Zagori, Pogon, Dropullin e Sipërm, Kurvelesh, Buz, Dangëlli, Dëshnicë, Vurg, Bregdet e gjer në Konispol e Theollogo. Nuk linte ngjarje të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare pa pasqyruar. Madje ngrinte edhe këngë popullore, një pasion i vjetër i tij. Shënimet e Finos për Dëshmorët e Atdheut janë bibliotekë më vete. Komiteti i Veteranëve të rrethit (ku ka qenë edhe i zgjedhur në vite si pasardhës i xha Muratit të rrallë që u kacafyt me ballistët në avllinë e shtëpisë) i ruan me kujdes e dashuri. Që nga mashkulloriti i urtë e i mencur Zabit Ahmetaj me shokë… Rrëfimet e tij me humor nuk harrohen. Miku im Baftjar Dobi, sa herë binte muhabeti për ndonjë episod nga fusha jonë, më thoshte:” Ja, pyet Ëngjon !”. Edhe ky i tregonte këndshëm, përshembull, bëmat humoreske të shefit të Bujqësisë, Rustemit të famshëm. S’mbeti gazetar pa shkuar në zyrën e tij. Fjala vjen, në fillimvitet ’70, në Gjirokastër kish ardhur Ladi i mrekullueshëm, një nga djemtë e Mehmet Shehut. Do të vendosej repertitori i Televizionit në malin e Çajupit. Duke e marrë një natë në shtëpinë e tij, Rustemi e “këshillon” miqësisht inxhinierin e ardhur nga Tirana: “Kur të takohesh me plakën time, të lutem, foli me zë të lartë se po e lënë veshët…(Të njëjtën gjë i kish thënë edhe Rebos së dashur). –Si je, të keqen nëna !,-bërtiti ajo.
-Mirë, të faleminderit,-iu përgjigj Ladi me të njëjtën “monedhë”, zëngritur.
-Ku të punon babai ?
– Rrobaqepës !,-ia pritit aty për aty Rustemi.
-Po nëna, ku të punon ?,-vazhdoi Rebua.
-Edukatore në kopsht,-bërtiti prapë i biri.
-Uau, c’të gjeti mo, që më ulërin kështu !
-Po është djali i të madhit të Qeverisë, o Reboo. Është i Kryeministrit…
-Ë, ë, ë, po pse talleni me mua plakën, birko !,-dhe doli e pakënaqur nga dhoma, duke folur si me veten: – U, pika ! Kryeministër që nuk ka shëruar dot djalin, e paska lënë të shurdhër. U, pikaa…
Të qeshurat gurgullonin si gjithmonë. E tregonte shpesh Ëngjua dikur, por Baftjari e futi në një libër. “Ai që gjatë jetës së tij nuk ka bërë asnjë marrëzi është budalla”, ka thënë herët i mencuri…Pardje më doli në telefon Vitua, motra arsimtare e Ëngjos. “Të flas nga Labinoti i Elbasanit. Erdha për 10 Korrikun historik. Erdha edhe për vëllanë. Kastrioti ka shkruar për të më herët, por kam gatuar edhe unë dicka. Do piqemi në Tiranë. Mua më duket sikur më shikon e më shoqëron në cdo hap, më flet buzagaz e i flas e mbytur në lotë. Shpesh këndonim bashkë. E donte shumë atë këngën e Petrit Lulos, “Vito, Vito pëllumbesha/ Në krahët e tua vdeksha !”. Më përqafonte fort dhe rrëmbushte sytë i malluar…
Nga fundqershori, kur botova shkrimin e parë për ditën e parë të Festivalit Foklorik Kombëtar në Gjirokastër, citova edhe 4 vargjet hapës të këngës së Arianit. Por…tani vonë mësova se ishin nga krijimet e Ëngjëllit. Sinqerisht, nuk u ndieva mirë që nuk ia kisha përmendur emrin autorit. Duke lënguar në shtrat, i ndiqte nga ekrani. Gjatë mbrëmjes së fundit të Festivalit, në muzgun e fundit, telekronisti legjendë mbylli sytë përgjithmonë ! Qyteti i gurtë e përcolli natyrshëm me këngë e valle birin e tij punëshumë që e përjetësoi në qindra e mijëra kronika. E tha publikisht shkurt e bukur, Stefan Arseni (veteran i mirënjohur i Kulturës nëpër Tepelenë e Gjirokastër): – “Qytetit tonë i iku një arkivë e çmuar !”. Ndërsa të tjerë, ndoshta patën të drejtë kur më thanë jo pa trishtim se ai njeri duhej përcjellë edhe nga holli i Radiotelevizionit lokal. i meritonte homazhet atje. Por me sa duket, zyrtarët e lartë të pushtetit në qytet a në Qark, janë të mbytur nga punët e shumta në këtë vapë përvëluese. Të jetë thjesht “harresë” ?! Vetëm TVSH-ja dha kronikë të vecantë. Dhe në ceremoninë mortore folën vetëm flokëbardhët, zemërbardhët, veteranët e kulluar idealistë…
Por këngët e Festivalit nuk harrohen. Telekronisti i parë iku në paqe me veten dhe të tjerët. Nuk thonë kot : Bleta e mirë duket në koshere, jo në kolltuqe e penxhere !…