Gjermania përshëndet angazhimin e Kryeministrit të Shqipërisë për të çuar përpara Procesin e Berlinit. Nga Borova e Korçës ku mori pjesë në përkujtimin e masakrës së vitit 1943, ambasadori gjerman në vendin tonë Peter Zingraf, evidentoi si pozitive përgatitjet e Shqipërisë për takimin e ministrave të Procesit të Berlinit që do mbahet këtë vit në vendin tonë.
“Është diçka vërtet e rëndësishme dhe është shprehje e iniciativës që ka marrë Kryeministri për t’u takuar me homologët e vet në rajon. Të gjitha përqëndrimet e përpjekjeve këtë vit janë të duhurat”.
Sipas ambasadorit, ky proces përshpejton anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.
“Procesi i Berlinit asokohe u iniciua nga ish-Kancelarja Merkel, pikërisht për të qëndruar në anë të Shqipërisë dhe gjithë rajonit për të përshpejtuar, ndihmuar dhe mbështetur rrugën e Shqipërisë dhe rajonit drejt BE”.
Ambasadori Zingraf bëri thirrje të gjitha shteteve që ta shfrytëzojnë mundësinë që ofron kjo nismë për të qenë sa më afër njëra-tjetrës dhe për të shmangur mosmarrëveshjet.