Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier tha se është e vështirë të thuhet se situata në veri është afër depërshkallëzimit.

Një ditë më parë kryengociatori kosovar, Besnik Bislimi dhe emisari special i Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak theksuan se kanë rënë dakord për disa hapa fillestarë për arritjen e një zgjidhjeje në veri.
Ai nënvizoi nevojën që qetësimi i situatës në veri të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që t’i hapet rrugë zbatimit të marrëveshjes Kosovë-Serbi.

Ambasadori Hovenier, në një konferencë për medie, pas pjesëmarrjes në një aktivitet në Pejë tha se pala kosovare duhet të pranojë planin trepikësh të BE-së për qetësimin, derisa përsëriti nevojën për organizimin e zgjedhjeve te reja në veri.
“Gjithçka që mund të them është se nga perspektiva e Shteteve të Bashkuara është shumë e rëndësishme, dhe mund ta përsëris atë që kemi thënë disa herë, që është shpresa për të parë një de-përshkallëzimin e plotë në veri. Ne duam të kthehemi në atë që është vërtet e rëndësishme, puna për të parë zbatimin e plotë të marrëveshjes së Ohrit nga të dyja palët, dhe kjo do të thotë se ne duam të shmangim pika të tensionit apo kriza të reja që pengojnë përpjekjet tona për të parë zbatimin e kësaj marrëveshjeje vërtet të rëndësishme strategjike në të mirë të Kosovës, në dobi të sigurisë rajonale. Por, ekziston gjithashtu nevoja për t’u kthyer në zgjedhje të reja për katër kryetarët e komunave dhe katër kuvendet komunale në veri, me pjesëmarrjen e plotë të komunitetit serb të Kosovës në veri… Ka ende shumë punë për t’u bërë, për të krijuar kushtet për zgjedhje të reja në veri, dhe kështu kam hezituar t’ju jap një afat, por sigurisht mendoj se kjo duhet të merret si çështje urgjente”, tha ai.
Krahas kësaj, ambasadori Hovenier u shpreh nuk mund të ndajnë përqindjen e përgjegjësisë për tensionet në veri.
“Ajo që do të thosha është se nuk jam i sigurt se po caktojmë përqindje të përgjegjësive për situatën në veri. Jam në dijeni në lidhje me shqetësimet tona për disa nga zgjedhjet e bëra nga Qeveria e Kosovës në fund të majit që mendojmë se kanë kontribuar shumë në përshkallëzimin e tensioneve në veri”, shtoi ambasadori.