Fikja e telefonit nga ana e Romelu Lukakut, ka habitur dhe ka nervozuar në të njëjtën kohë drejtuesit e Interit, që gjithsesi po e menaxhojnë me qetësi situatën, ndoshta duke pritur që sulmuesi belg të reflektojë. Palët patën një pakt zotërinjsh, të cilin drejtuesit e Interit e mbajtën duke bërë punën e tyre, teksa tashmë presin që edhe belgu të bëjë të njëjtën gjë, por duket se ai është ende i pavendosur, ose më saktë i vendosur për të mos u kthyer më në Milanon zikaltër.
E në pritje që belgu të deklarojë hapur zgjedhjen e tij, Ausilio e Marotta kanë nisur të punojnë menjëherë për të gjetur një tjetër sulmues, që t’ia bashkojnë treshes Lautaro, Thuram, Correa. Nga zyrat zikaltër drejtuesit konfirmojnë se nuk janë fort të papërgatitur, aq më tepër që buxhetin për të sjellë një sulmues me peshë, e kanë tashmë në arkat e klubit.
Emrat nuk bëhen të ditur, por profilet që Ausilio e Marotta i ndjekin prej kohësh janë ato të Mehdi Taremit, Jonathan David, Balogun dhe Alvaro Morata. Gjithsesi për momentin te Interi janë ende duke pritur që Lukaku ‘të zgjohet’, të hapë telefonin dhe të japë një përgjigje, qoftë kjo edhe negative.