Juventusi ndodhet në SHBA për turneun e verës. Pas shtyrjes së miqësores së parë kundër Barcelonës, bardhezinjtë luajtën ndeshjen e parë zyrtare kundër Milanit, duke fituar me penallti, sepse koha e rregullt prej 90 minutash përfundoi me barazimin 2-2.
Një “sfilatë” e parë që i dha disa indikacione Massimiliano Allegrit, me skuadrën që vazhdon të punojë jashtë shtetit në funksion të miqësores së fundit, të planifikuar kundër Real Madridit në natën e 3 gushtit.
Ndërkohë, drejtori i ri sportiv, Cristiano Giuntoli, po punon në merkato për të përmirësuar skuadrën, edhe pse tani për tani po fokusohet në largimet e atyre lojtarëve që nuk janë më pjesë e projektit teknik të Juventusit. Një prej tyre, tashmë i larguar, është Juan Cuadrado, të cilit i ka përfunduar kontrata dhe është transferuar tek Interi si transferim i lirë.
Një vendim që shkaktoi reagime negative tek të dyja tifozëritë, me kalimin e kolumbianit tek “armiqtë” zikaltër. Transferimi ka sjellë reagime edhe nga shumë ish-ë të dy skuadrave, ku i fundit është ish-lojtari i Juventusit, Douglas Costa.
Gjatë një transmetimi “live” në profilin e tij në Instagram, braziliani ka komentuar kalimin e Cuadrados tek Interi, duke iu përgjigjur një pyetjeje të një ndjekësi: “Cuadrado tek Interi? Më vjen keq për të”, – komentoi braziliani, duke shkaktuar reagimet e tifozëve të Juventusit.