Cristiano Ronaldo befasoi jo pak teksa gjatë merkatos së janarit braktisi Manchester United për t’u transferuar në Arabinë Saudite tek Al-Nassr.
Sulmuesi portugez në më shumë se një rast e ka theksuar se ky transferim erdhi si efekt i rritjes së futbollit në Lindjen e Mesme, duke lënë mënjanë faktin se fiton 200 milionë dollarë në një sezon të vetëm.
Megjithatë, ka edhe nga ata që nuk e fshehin dhe shprehen se “emrigrojnë” drejt Arabisë Saudite vetëm për paratë. I tillë është rasti i Odion Ighalo i cili aktualisht është pjesë e Al-Hilal ndërsa në të kaluarën ka edhe një aventurë njëvjeçare me Manchester United. 34-vjeçari thekson se ai u transferua në Arabi vetëm për paratë dhe sipas tij, për po të njëjtën arsye edhe CR7 luan në Lindjen e Mesme.
“E pranoj se kur je i ri në moshë luan futboll për pasion dhe ka momente kur edhe nuk të interesojnë shumë paratë. Por, kur ke një moshë të caktuar, atëherë të duhet të mendosh edhe për të ardhurat. Jam në vitet e fundit të karrierës dhe ndoshta për dy vite mund të tërhiqem nga futbolli, më duhet të mendoj edhe për paratë. Kam luajtur gjithë jetën time për pasion, por tani e pranoj se luaj për paratë. Në fund të ditës të gjithë mendojnë vetëm për paratë.
A luan Ronaldo për pasion? Ronaldo ka fituar 100-fishin e asaj që unë kam fituar në të gjithë karrierën time dhe përsëri ai vjen në Arabi. Mendoni se ishte një zgjedhje që ka lidhje me pasionin? Jo, është lëvizje që lidhet vetëm me paratë”, u shpreh nigeriani.