Nga Ylli Pata/
Nuk është hera e parë që Sali Berisha përgjigjet ashpër, kur ndokush e pyet për problemet e tij me drejtësinë, siç i tha sot një gazetari.
Kur ai e pyeti se a kishte shkuar kohët e fundit në SPAK. “Je prokuror, a gazetar, ç’je ti”, i është kthyer Berisha, duke mbyllur debatin mbi çështjen që i përket atij. Ky është në fakt reagimi më i butë i doktorit ndaj të gjithë atyre që i kanë përmendur problemet e tij apo familjes. Pasi shpesh, reagimet janë krejt të ndryshme, që nga kundërakuzat e mëdha, e deri kërcënimet për ata që kanë nxjerrë nga goja ato fjalë të rënda.
Kjo që ndodhi sot është në nëj farë mënyre karma e kthyer e një jete publike me dy standard krejt të ndryshme, të dyfishta e që nuk aplikohen njësoj, por sipas midesë së caktuar.
Kur dikush e akuzon atë e familjen e tij shpif, nuk thotë të vërtetën. Madje trillon e histori të kolorizuara me fantazi të shumëllojtë, ku gjen personazhet, kontekstet, tregon ndodhi që sipas tij kanë ndodhur, vetëm e vetëm që të sajojnë komplotin ndaj tij. Kështu tha edhe pas vendimit dastik të qeverisë së SHBA, që e shpalli “Non Grata” dy vjet më parë për korrupsion të rëndësishëm, minim të demokracisë e pengim të drejtësisë. “Pa më dhënë provat, nuk i pranoj”, tha para dy vjetësh, në atë që e quajti “betejë për dinjitet”, kur dhe shpalli beteja gjyqësore që nuk i bëri kurrë.
Më pas u tha se ndëshkimi do të bjerë sapo shqiptarët do t’i tregojnë me votë se e përkrahin atë. Por, “Non Grata”-t amerikane po rritet ditë pas dite në të gjitha vendet e Ballkanit, por edhe më tej, në vende përgjithësisht me demokraci të pastabizlizuar si Amerikë Latine, Afrikë apo Europën Lindore. Vetëm dje, SHBA shpalli një tjetër ndëshkim “ekselent”, e që si rrallë herë është një njeri në kulmin e pushtetit. Aleksandër Vulin, shefi i shërbimit sekret i Serbisë është shpallur Non Grata nga qeveria e SHBA, e për pasojë asetet e tij e të familjes janë ngrirë, e po hetohen me detaje.
Tashkë klubi ï “Non Gratave” në Ballkan po formësohet në mënyrë gjithëpërfshirëse, sa njëri prej të ndëshkuarve, presidenti i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, shkroi në rrjetet sociale pas ndëshkimit të Vulin: “Brate(vëlla), mirëseerdhe në klub! Merre lehtë, se të kanë ndëshkuar ngaqë je treguar i drejtë!” Nejse, karma në këtë rast, nuk është thjesht kthimi mbrapsht i asaj që Berisha ka folur që kur u sanksionua nga SHBA. Por tek ajo, që për 33 vjet, Sali Berisha, jo thjesht vetë, por ka instaluar në politikë dhe në të folurën publike, “teorinë e kryeprokurorit”.
Berishizmi në politikën shqiptare njihet pikërisht për këtë veçori që është thuajse unike në Shqipëri kaq shumë e përhapur. Në vendet përreth nesh, nuk ka qenë shumë e përhapur kjo kulturë e linçimit dhe akuzimit të përbindshëm të kundërshtarit politik. Përjashto Vetëvendosjen e Albin Kurtit, ku edhe ajo futi kulturën e demonizimit të kundërshtarit. Për vite e vite, kush ka bërë ose ka dashur të bëjë karrierë në PD-në e Sali Berishës, ka pasur si refren, apo si bazë të komunikimit publik, akuzat e rënda ndaj kundërshtarëve politik. Në princip, akuzat, kritikat e sulmet ndaj rivalëve janë pjesë e punës së një politikani. Përballja e kundërshtimi për të nxjerrë më mirë alternativën e vet se të tjetrit.
Por nuk bëhet fjalë fare për këtë logjikë. Lufta politike është një terren përballjesh e konfliktesh, mund të ketë edhe dyshime, apo akuza për ngjarje të rënda apo problematike, në lidhje me sjelljen e zyrtarëve me detyrën, konfliktin e interesit, operimin në punë, apo edhe stafit të tyre. Por kur vjen puna tek akuzat penale, sidomos kur kemi të bëjmë me fakte të rënda, ka vetëm dy rrugë.
E para, është bashkëpunimi me mediat, për t’i bërë këtë akuza sa më publike nëpërmjet investigimeve që bëjnë reporterët. Dhe tjetra është padia në prokurori. E në këtë pikë, të lësh prokurorinë të bëjë hetimin der isa të çojë çështjen në gjyq, më pas të presësh procesin deri në dhënien e vendimit.
Kjo është rruga e vetme që ndodh në një vend normal Perëndimor. Se më pas vjen një ditë, siç thotë Llano Bleta, që vjen e të kthehet kundër i gjithë ai arsenal që ke lëshuar kundër të tjerëve. E gjithë kjo kulturë jakobinizmi nëpër panele me akuza nga më të tmerrshmet, siç ka ndodhur, ka rezultuar e paefektshme. Sepse në çdo vend normal, penallti është kur arbitri fishkëllen me bilbil dhe drejton gishtin tek pika e 11 metërshit. Ashtu edhe në këtë rast, hajdut e kriminel është kur gjykata e përcakton me vendim pas hetimit të prokurorisë.
Ndërsa në perceptimin public, Dashamir Shehi me një frazë ka hedhur poshtë gjithë emisionet e zhvilluara gjithë këto vite për çështjen e korrupsionit. “Kush ka hy në politikë me duar në xhepa dhe ka dalë milioner është hajdut. U mbyll. S’ka nevojë as për hetim, për asgjë”. Fjalët e shumta në këtë rast janë thjesht fukarallëk.