Vllaznia humbi 3-1 me Linfield për turin e parë kualifikues në Conference League. Shkodranët ishin të pafuqishëm në transfertën e Irlandës së Veriut, teksa goli i Juric në fund shërbeu sa për statistika. Tanimë Vllaznia kërkon përmbysjen në ndeshjen e kthimit që luhet të enjten që vjen në “Loro Boriçi”. Pas ndeshjes në Irlandën e Veriut foli edhe trajneri i kuqebluve, Migen Memelli.
“I bëmë gjërat mirë në pjesën e parë, u treguam skuadër e kujdesshme. Por ajo çka nuk bëmë mirë në pjesën e dytë është që ramë pak nga tempi i ndeshjes dhe u ndëshkuam në momentin më të mirë tonin kur po mundoheshim të menaxhonim kundërshtarin. E parë në këndvështrimin e lojës kemi bërë gabime individuale që do të mundohemi t’i rregullojmë në ditët në vijim. Besojmë se është një rezultat që na mban në lojë dhe shpresojmë që në ndeshjen në Shkodër të bëjmë maksimumin për të rihyrë në lojë se është një rezultat me dy gola diferencë. Në Shkodër do të bëjmë maksimumin për të ecur përpara”, tha fillimisht Memelli.
Trajneri i Vllaznisë u ndal më pas edhe te ganmet, duke cilësuar se së pari gaboi ai.
“Ky është rezultat që na mban në lojë dhe nuk dua ta komentoj më se një rezultat i tillë do të ishte në disfavorin tonë nëse do të shkonim me tre gola te ndeshja e kthimit. Gabimet na takojnë të gjithëve, mua të parin dhe me radhë. Besoj se janë gjëra që duhet të rregullojmë me skuadrën dhe të ecim para bashkërisht. Nuk jemi këtu t’i vendosim gishtin askujt, problemin e shoh fillimisht te vetja ime, gjërat duhen rregulluar individualisht dhe si grup”, tha Memelli.