Prej më shumë se një muaji, Paulo Maldini konsiderohet si i “papunë” duke qenë se mbylli bashkëpunimin me Milanin. Ish-futbollisti i famshëm i kuqezinjve përfundoi jashtë projektit të drejtuesve, megjithatë duket se periudha e pushimit për 55-vjeçarin nuk do të jetë e gjatë. Sipas shtypit italian, Maldini është duke shqyrtuar disa oferta ku spikasin më shumti ato nga Paris Saint-Germain dhe kombëtarja e Italisë.

Francezët janë gati t’i japin një rol drejtuesi në klub dhe ta shndërrojnë në një prej personave më të pushtetshëm, së bashku me trajnerin Luis Enrique. Nga ana tjetër, mbetet i paqartë roli që Maldini do të mbante nëse pranon propozimin nga kombëtarja.

Megjithatë, edhe në këtë rast, mediat theksojnë se Maldinit do t’i besohej një post tejet i rëndësishëm për të udhëhequr projektin e të kaltërve, teksa opsion është edhe të bërit pjesë në stafin teknik të trajnerit Roberto Mancini.