Presidenti francez Emmanuel Macron u takua me qindra zyrtarë francezë për të diskutuar në lidhje me zhytjen e vendit në trazira pas vrasjes së një adoleshenti nga policia. 250 kryebashkiakët mbërritën në pallatin Elysee teksa vijuan më pas diskutimet urgjente me drejtuesin e vendit, ndërsa dëmet ekonomike në biznese mbeten tejet të rënda. Prej një jave i gjithë vendi është përballur me protesta të dhunshme, të cilat kanë shkatërruar makina dhe plaçkitur biznese të shumta, duke e bërë kështu situatën më të vështirë ndër vite për qeverinë franceze. Mobilizimi i policisë ka qëndruar konstant gjatë të gjithë ditëve, duke mbajtur në gatishmëri 45,000 persona në të gjithë Francën.
Kryeministrja franceze Elisabeth Borne raportoi se afërsisht 4,000 persona u arrestuan, ndërsa 1200 prej tyre rezultojnë të mitur. “Mbrëmë ishte shumë më qetë, ishte një shenjë pozitive për rikthimin e rendit. Por ne mbetemi vigjilentë dhe gradualisht po e përshtatim reagimin tonë. Përballë kësaj dhune, mendoj se është e drejtë të thuhet se ne qëndrojmë të bashkuar”, tha ajo. Autoritetet kanë deklaruar se qeveria mund të lejojë bizneset e prekura nga trazirat të pezullojnë pagesat e taksave dhe sigurimeve shoqërore, derisa të arrijnë rikuperimin. Situata e tensioneve në Francë po ulet krahasuar me ditët e para të shpërthimit të protestave, por ende vijojnë shkatërrimet e rebelëve në qytete të ndryshme.