Kryeministri holandez, Mark Rutte nuk do të kandidojë për një mandat të pestë në detyrë dhe do të largohet nga politika pas zgjedhjeve në nëntor. Të premten e kaluar, Rutte njoftoi dorëheqjen e të gjithë kabinetit qeveritar pas mosmarrëveshjeve mbi politikat e emigracionit.
Vendimi i Rutte do të shënojë fundin e drejtimit të tij si udhëheqësi më jetëgjatë i qeverisë në historinë holandeze dhe më i moshuari në BE pas kryeministrit hungarez Viktor Orban.
56-vjeçari do të qëndrojë si udhëheqës i një qeverie të përkohshme derisa të formohet një administratë e re pas zgjedhjeve të ardhshme, një proces i cili në peizazhin e përçarë politik holandez zakonisht zgjat me muaj.
Koalicioni aktual qeverisës i Rutte, i cili erdhi në pushtet në janar të vitit 2022, ishte administrata e tij e katërt radhazi që kur ai u bë kryeministër në tetor të vitit 2010.