Nëse nuk jeni lindur dhe rritur në Spanjë, ka shumë mundësi të keni mësuar për herë të parë për Vendin Bask përmes leximit të romanit të Ernest Hemingway të vitit 1926 “Dhe dielli lind përsëri”, i cili përshkruan jetën e një grupi njerëzit që i përkasin të ashtuquajturit “Brezi i Humbur”, të cilët udhëtojnë nëpër Evropën Perëndimore pas Luftës së Parë Botërore.
Hemingway-t i pëlqente shumë Vendi Bask sepse njerëzit atje ishin me karakter të fortë ndërsa historia e tyre ishte tragjike. Të ndodhur midis Spanjës Veriore dhe Francës Jugore, baskët kanë luftuar për liri që kur u aneksuan nga Spanja në shekullin XVI-të.
Gjatë Luftës Civile Spanjolle, Francisco Franco e çoi këtë konflikt në nivele të reja kur ndaloi gjuhën baske, pezulloi të drejtat e këtij komuniteti etnik dhe kur bombardoi qytetin bask Guernica, duke nxitur Pablo Picasson të krijonte pikturën e tij të famshme.
Këtu, politika është e ndërthurur ngushtësisht me gjuhën. Kjo gjuhë, e quajtur Euskara, nuk tingëllon aspak si spanjishtja (gracias = eskerrik asko), dhe as që i ngjan frëngjishtes. Në fakt, Euskara është në thelb aq shumë ndryshe nga fqinjët e saj, saqë gjuhëtarët dyshojnë nëse e ka origjinën edhe nga indo-evropianishtja, familja e gjuhëve që lindi islandishten, rusishten, hindu dhe pothuajse gjithçka midis.
Origjina e Euskara është një mister që ende nuk është zgjidhur. Shumë studiues janë marrë me këtë çështje gjatë viteve, secili duke dalë me shpjegime të ndryshme. Është sugjeruar se Euskara është një paraardhëse dhe një e mbijetuar e iberisë, një gjuhë jo-indo-evropiane e folur në Gadishullin Iberik përpara se të mbërrinin romakët.
Po ashtu, Euskara ka qenë gjithashtu e lidhur me një numër gjuhësh të folura në Kaukaz, si dhe me Berberët Saharanë, një grup etnik para-arab nga Afrika Veriore. Deri vonë, besohej se baskët vinin nga një popullsi relikte paleolitike e paprekur nga emigrimet parahistorike që formuan pjesën tjetër të Evropës, gjë që shpjegon edhe arsyen pse Euskara nuk ka ngjashmëri me gjuhët romane dhe gjermanike.
Por kjo hipotezë është hedhur poshtë nga kërkimet e fundit gjenetike, të cilat tregojnë se Vendi Bask nuk ishte i izoluar kulturalisht nga shoqëritë e tjera evropiane deri shumë më vonë, gjatë pushtimit romak dhe islamik të Gadishullit Iberik. Ndërsa fryma e pavarur e baskëve, kontribuoi padyshim në izolimin e tyre, faktori përcaktues duket se ka qenë vetë gjeografia e tij.
I mbrojtur nga malet e Gjirit të Biskajës dhe Pirenejtë, terreni i thyer i largoi të huajt po aq lehtë sa i pengoi vendasit të largohen nga andej. Dhe gjenetika vetëm sa e ka bërë më të çuditshme historinë e Euskaras. Por nëse baskët kanë në një farë mënyre lidhje me indo-evropianët, pse nuk është e tillë gjuha e tyre?
Tani për tani, ne thjesht nuk e dimë këtë gjë. Veçantia e gjuhës Euskara, ka bërë që qeveritë qëndrore në Spanjës dhe Francë t’i shohin baskët si një kërcënim për hegjemoninë e tyre politike, një kërcënim që është përdorur për të justifikuar diskriminimin, margjinalizimin dhe persekutimin e tyre.
Gjatë Revolucionit Francez, gjuha u gjykua si nxitëse e katolicizmit, dhe për këtë arsye një armike e Iluminizmit. Në Spanjën e Francos, ajo u cilësua zyrtarisht si armike e Zotit. Shtypja e baskëve vazhdoi edhe pas Francos. Në vitin 2003, Egunkaria, e vetmja gazetë e botuar plotësisht në gjuhën Euskara, u mbyll nga qeveria spanjolle, pasi botuesit e saj u akuzuan për komplot me grupin e dhunshëm separatist bask ETA.
Gazetarët e saj u arrestuan, u burgosën dhe thuhet se u torturuan. Kjo ngjarje nxiti kritika të forta nga organizatat dhe aktivistët e të drejtave të njeriut, përfshirë Amnesty International dhe shkrimtarin e njohur Salman Rushdie. Por akuzat për torturë nuk u hetuan kurrë. Në fund gazetarët u liruan nga akuzat ndërsa mbyllja u anulua.
Që nga ajo kohë qeveria spanjolle krijoi një identitet të veçantë të baskëve, dhe i ka dhënë rajonit një autonomi të rëndësishme ekonomike dhe politike, lëshime që pritet ende të ndodhin në anën franceze të kufirit. Shekujt e persekutimit, kanë shkaktuar ndikimin e tyre në kulturën Euskara dhe Baske në përgjithësi.
Dikur gjuha Euskara flitej në një zonë që shtrihej nga Bilbao në Barcelonë. Gati e shfarosur nga Franco, kjo gjuhë u rikuperua disi pas vdekjes së tij në vitin 1975. Dikur ishte e ndaluar nga përdorimi publik, tani flitet në televizion, art dhe media. Në të gjithë Vendin Bask, tabelat e rrugëve janë të shkruara në Euskara, ndonjëherë krahas përkthimeve në spanjisht, ndonjëherë jo.
Më parë, Letërsia baskeishte e rrezikuar deri në atë pikë saqë sot një koleksionisti të vetëm – Edward Spencer Dodgson – i njihet merita për ruajtjen e kanunit letrar të një shoqërie të tërë, e cila aktualisht po përjeton një rilindje. Një nga librat më të famshëm në këtë gjuhë “Martutene” i Ramon Saizarbitoria, i përkthyer së fundmi në anglisht, eksploron marrëdhënien e ndërlikuar midis besnikërisë afektive ndaj një grupi dhe angazhimit të vetëdijshëm ndaj një kauze abstrakte, dy lajtmotive të historisë baske.
Në retrospektivë, përpjekja e Francisco rancos për të shkatërruar gjuhën Euskara ndihmoi në sigurimin e mbijetesës së saj. Tek e fundit, nën sundimin e tij gjuha u bë jo thjesht një mjet komunikimi, por një simbol i rezistencës kundër shtypjes. / “Big Think” – Bota.al