Atletico Madrid luan të dielën (13:00) në Tokio, Japoni, një miqësore luksi përballë Manchester City. Në prononcimin për shtypin përpara duelit ndaj skuadrës së Pep Guardiolës, Diego Simeone u ndal te Yannick Carrasco.

Sulmuesi i majtë, i cili ka edhe një vit kontratë me “Colchoneros”, kërkon të nisë një aventurë të re në karrierë. Por, trajneri argjentinas i Atleticos, i cili e vlerëson shumë 29-vjeçarin belg, i kërkon këtij të fundit të mos largohet.

“Të gjithë e dimë se nuk do të jemi të qetë deri në fundin e merkatos. Situatat mund të ndryshojnë në varësi të nevojave të lojtarëve dhe klubit. Dhe ne do të punojmë në përputhje me rrethanat.

Yannick është shumë i rëndësishëm për Atleticon. Ai e di se çfarë duam prej tij. Po flasim për një lojtar tepër të rëndësishëm për skuadrën. Shpresoj që të vazhdojë të jetë pjesë e jona”, theksoi El Cholo, prej vitesh trajneri më i paguar në futboll.

Por, nëse Carrasco nuk rinovon kontratën, atëherë drejtuesit e klubit spanjoll do të detyrohen ta shesin. Për të mos e humbur me parametra zero verën e vitit të ardhshëm.