Me karrierën si lojtar që po i afrohet fundit, përgatitjet e Cristiano Ronaldos për jetën pas futbollit vazhdojnë. Sulmuesi i Al Nassr është gati të zgjerojë portofolin e tij tashmë të gjerë të biznesit duke blerë 30 përqind të aksioneve në një grup mediatik.
Sipas disa mediave në Portugali, 38-vjeçari planifikon të blejë 30% të aksioneve në COFINA , një nga kompanitë kryesore mediatike të vendit. COFINA zotëron gazetat kombëtare Correio da Manhã dhe Record, si dhe transmetuesin televiziv Correio da Manhã TV (CMTV) . Correio da Manhã është gazeta më e lexuar në Portugali, ndërsa CMTV është kanali televiziv kabllor më i ndjekur në vend.
Marrëveshja për të cilën “OK Diario” raporton se tashmë është rënë dakord, ka qenë në punë prej disa muajsh. Një burim pranë kampit të Ronaldos thotë se lojtari është “shumë entuziast” për projektin. “Ai është një fitues, ndaj është i lumtur që lidhet me projekt fitues”, tha i njëjti burim.
“Të kemi Cristianon me ne, futbollistin më të mirë në histori, një sportist unik që qëndron për vlera të tilla si vendosmëria, rigoroziteti, puna e palodhur dhe qëndrueshmëria , është një nder”, ka thënë CEO i COFINA, Luis Santana, sipas OK Diario. Duket se Ronaldo është në gjurmët e Berlusconit, me yllin e futbollit që kërkon të investojë në media, teksa nuk e ka fshehur ambicien për të pasur edhe një klub futbolli.