Pas suksesit në televizion, tashmë Top Channel vjen me një sipërmarrje filmike.
“Në kuadër të dashurisë”, një komedi romantike, është prodhimi i parë filmik, i cili pritet të ketë premierën në tetor. Duke nisur nga aktorët profesionistë e deri tek personazhet publikë më në zë të momentit, një projekt spektakolar është duke u realizuar.
Producenti i këtij filmi, Ledion Liço është shprehur: Ideja për të nisur Top Channel Films është krejt organike në mënyrën se si erdhën gjërat. Top Media e ka këtë traditë që në fusha të ndryshme të artit, të jetë e uritur për të shkëlqyer. I radhës do të duhej të ishte medoemos filmi. Top Channel ka prodhuar filma dhe seriale edhe në të shkuarën. “Në kuadër të dashurisë” është një rikthim tek diçka që u nis më përpara dhe ngeli si jashtë vëmendjes për ca vite. Ajo që uroj është që të jetë për gjatë. Erdhi tani sepse koha është tani, vëmendja e të rinjve ndaj kinemasë të re shqiptare dhe ndaj kineastëve të rinj shqiptarë, është më e madhe. Filmi i parë i Top Channel Film, “Në kuadër të dashurisë”, është në fakt një film i ditëve që po jetojmë. Ngjarjet e trajtuara në film janë ngjarje të jetës sonë të përditshme. Mirëpo, duhet ta them këtë, çdo ngjashmëri e filmit me ngjarje të vërteta, është krejt rastësore. Kjo nuk është një histori e vërtetë. Ne jemi të bindur që filmi do të mbushë sallat e kinemave, por kemi ca siklete tonat për mënyrën se si do të pritet një skenë apo një skenë tjetër. Ne kemi disa skenare që i kemi gati, e gjitha kjo do të varet më shumë nga suksesi i të parit. Është një vepër që është bërë me shpirt nga të gjithë ata që kanë bërë apo nuk kanë bërë film në të shkuarën. Ka qenë e jashtëzakonshme. Dhe unë besoj që në çdo vepër, diçka nga energjia ngelet.
Dhe pikërisht për këtë do të doja që publiku të dilte nga salla me një buzëqeshje në fytyrë dhe me mbresa shumë të mira.
Luiz Ejlli, një nga dy protagonistët e këtij filmi, shprehet: Personazhi në film ka të bëjë me një pjesë të jetës sime shumë të rëndësishme që e kam përjetuar vetë. Ndoshta kjo është arsyeja që e kam gjetur veten në atë rol. Më pëlqen sepse shoh veten ku jam sot dhe rikthehem tek Besi që kam rolin në film. Skena më e vështirë ka qenë skena e puthjes, mund ta quaj puthja e djallit. Ishte një moment shumë i sikletshëm, aq më tepër që e kemi bërë 7 herë prova. Është goxha e vështirë të punosh me Oltën, ka shumë kërkesa për filmin. Nuk e kisha menduar kurrë që do të ishte në një rol si bashkëshortja ime. I vetmi moment i filmit që më pëlqen shumë shumë, është momenti kur thamë ‘do divorcohemi’.
Ndriçim Xhepa, një aktor i njohur që është pjesë e kastit ka thënë: Kam përshtypjen që është hera e parë që jam në pozicionin e një babai. Është babai i personazhit kryesor të vajzës. Është një personazh i veçantë, i cili kalon nëpër disa situate të çuditshme, edhe të këndshme por edhe të sikletshme. Unë e shoh personazhin e Jonidës, pra të Olta Gixharit, bijës sime në film, në mënyrë krejtësisht të natyshme sepse unë njihem me Oltën kur ajo ishte student në shkollë. Kështu që nuk kisha asnjë problem në marrëdhënien me të. Unë nuk e njihja më përpara Sarën, por si vajza e dytë e imja, me të vërtetë më krijoi ato ndjesitë e mia të vajzës së vogël. Në përgjithësi këto fëmijët e vegjël. Vajza e vogël, bëhet gjithmonë për babain më e këndshme, më e ëmbël. Këtë marrëdhënie pata edhe në film. Do them të vërtetën, do kisha dëshirë që im bir, Martini, ta kishte një motër.
Sara Hoxha flet për rolin e saj: Unë në këtë film vij si një vajzë e re që quhet Aria. Jam motra e Jonidës që e luan Olta Gixhari dhe vajza e Zamira Kitës dhe Ndriçim Xhepës. E kam menduar si më të vështirë që të luaja një personazh që dashurohet me dikë tjetër në film. Puthja e parë ka qenë pak e vështirë. Jam munduar që ta mbaj me sa më pak dubla që të ishte e mundshme. Unë kur kam qenë më e vogël e kam pasur ëndërr të bëhem aktore. Kam kërkuar shpesh herë edhe për shkolla aktrimi në Los Angeles. Nuk u realizua kurrë si gjë. Me pak fjalë më është plotësuar një ëndërr.
Roli i Bes Bitrakut në film? “Unë luaj Vanin, një djalë korçar, biznesmen dhe është kandidat potencial për t’u martuar me Arian. Përfaqëson këtë shtresën e njerëzve që mendojnë se mund ta fitojnë dashurinë me lek”.
Nga ana tjetër kemi dhe Roerd Toçen… “Roerdi vjen në rolin e Klejdit. Klejdi është një djalosh i ri, dizajner. Unë do ta quaj atë disi bohem, disi nostalgjik, disi melankolik, i cili ka shoqëruar dikë për në aeroport dhe po pret diçka që një forcë më e madhe ia sjell atij. Bashkëpunimi me Sarën ka qenë një partneritet, një partnership shumë i mirë. Kemi krijuar një shoqëri shumë të mirë”.