Festivali “Gjon Mili, Jazz&Blues” ngre sonte siparin në orën 21:30 me emra të njohur të muzikës shqiptare, por dhe asaj të huaj.
Kamela Islamaj është një prej emrave shumë të dashur të publikut shqiptar që do të ngjitet në skenë sonte tek REJA, e cila pritet që të ndiqet nga një numër i madh artdashësish. Mes emocionesh pritet edhe “Andi Kongo Quartet” është i përbërë nga Andi Kongo (piano – vokal), Ermal Rodi (sax – trompë), Arbin Alimeri (bass), and Emiljan Dhimo (bateri). Ky formacion muzikor vazhdon bashkëpunimin mbas koncertit “Imazhi Jazz i Gjon Milit” që zhvilloi në Korçë dhe në Tiranë në vitin 2019.
Gjatë karrierës artistike Andi Kongo ka performuar si pianist në Shqipëri dhe Itali, duke veçuar “Siena Young Lions – Meeting dei Conservatori Europei del Jazz” në Siena (Itali) dhe më pas me “Bonporti Jazz Band” nën dirigjimin e Paolo Silvestri-t në një tour koncertesh bashkë me këngëtaren jazz Barbara Casini, duke marrë pjesë edhe në festivalin “Il Jazz italiano per le terre del sisma” – Aquila. Në Shqipëri ka marrë pjesë në 2 edicione të festivalit “Jazz in Albania”.
Ndërkaq, “Ragazza a modo” është kënga e re e Ida Altrove feat. Fabrizio Bosso i disponueshëm në platformat e transmetimit dixhital dhe në rotacion radio nga 16 qershori 2023 që do të mund të dëgjohet edhe mbrëmjen e sotme tek REJA.
Shfaqjet më 12 dhe 13 do të zhvillohen tek Instalacioni Reja në kryeqytet dhe do të jenë të hapura për publikun, ndërsa më 15 korrik në Korçë. “Gjon Mili Jazz & Blues Festival” synon promovimin e figurës së Gjon Milit, si e vetmja urë lidhëse që kombi shqiptar ka me muzikën Jazz në periudhën e saj më të artë, duke e bërë pjesë të Trashëgimisë Kulturore dhe Artistike të Shqipërisë.
Zhvillimi i festivalit ka për qëllim të nxisë aktivitetin artistik dhe krijimtarinë në muzikën Jazz dhe Blues, duke motivuar muzikantët e rinj shqiptarë me anë të shkëmbimit artistiko – kulturor me muzikantë kombëtarë dhe ndërkombëtarë me eksperience.