Prokuroria Speciale tha se ka ngritur aktakuzë ndaj një personi, të dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile në Kosovë. I dyshuari, sipas prokurorisë është S.T, i nacionalitetit serb. Ai akuzohet për krime të kryera më 1998-99 në fshatin Reznik të Vushtrrisë dhe në fshatrat përreth të kësaj komune.
Sipas njoftimit, i pandehuri ka qenë pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe dhe “ka kontribuar në vrasje, bastisje, rrahje, maltretimit, arrestimit, torturë, trajtim në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, mbajtja në kushte skllavërie, dëbimin të mijëra civileve shqiptarë si dhe masat e plaçkitjes, djegies dhe shkatërrimit të shtëpive të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar”. Më 15 dhjetor 2022, autoritetet njoftuan se ishte arrestuar S.T, i dyshuar për krime lufte në Vushtrri.
Atëbotë, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, kishte deklaruar se i arrestuari ishte ish-pjesëtari i Policisë së Kosovës, Sllagjan Trajkoviq. Që nga përfundimi i luftës në Kosovë, rreth 70 persona janë dënuar për krime lufte nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare të drejtësisë.
Nga viti 2000 deri më 2008, krimet e luftës u hetuan nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK). Nga viti 2008, për hetimin e këtyre krimeve përgjegjës ishte Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX). Ndërkaq, nga viti 2018, EULEX-i ka dorëzuar dokumentet për krimet e luftës në institucionet gjyqësore të Kosovës. Gjatë luftës në Kosovë, në periudhën nga viti 1998 deri në vitin 1999, janë vrarë më shumë se 13.500 persona. Po ashtu, mbi 1.600 persona konsiderohen ende të zhdukur, kryesisht nga komuniteti shqiptar.