Një mbrëmje italiane do të jetë ajo e 4 gushtit në kalanë e Porto Palermos ku prej 14 korrikut ngriti siparin edicioni i tretë i festivalit që mban emrin e kësaj kalaje për të ngjitur në skenë 36 artistë me famë ndërkombëtare.

Një spektakël i aktorit dhe regjisorit të njohur italian të teatrit Roberto Ciufoli i shoqëruar nga Michael Rodi në piano.

TIPI është një përmbledhje e tipologjive njerëzore, një udhëtim emocionues që nis nga sportisti tek i pavendosuri, nga i turpshmi te superheroi dhe balerini. Treguar se si një karakteristikë psikologjike kushtëzon një qëndrim fizik, një mënyrë të të folurit apo përzgjedhjen e fjalëve. Ata qeshin me ne, me njerëzimin tonë kaq fort të çorientuar dhe të hutuar me poezi, monologë, skica dhe kërcime që e bëjnë shfaqjen një “multi-one-man-show” të vërtetë.

Mbrëmja do të nisë me “GOLA”. Një monolog i Mattia Torres i rishkuar dhe interpretuar nga dy aktoret e reja Tess Alice Tacconi dhe Jane Landucci.

Gola tregon sesi historia e shekullit të njëzetë ka ndikuar në marrëdhënien e italianëve me ushqimin. Mjerimi i shkaktuar nga Lufta e Dytë Botërore, një kujtim i largët, është kthyer në një mendim shqetësues që shmanget me gatime të bollshme dhe një përgatitje e gjatë në kohë. Aktorët tregojnë këtë histori ironike me gjithë dashurinë që vetëm një italian mund të mishërojë për kënaqësitë dhe shqetësimet që të sjell kuzhina e këtij vendi.

Pjesëmarrja e aktorëve Roberto Ciufoli me Jane Landucci & Tess Alice Iaconni në edicionin e tretë të këtij festivali u mbështet nga Instituti Italian i Kulturës në Tiranë

Ky edicion përfshin gjithsej 15 shfaqje mes poezisë, baletit dhe një ndërthurje të violinës së Cesarit dhe muzikës elektronike. Gjatë festivalit 5-javor janë planifikuar dhe eksperienca kulinare dhe turne me guidë në kala.

Festivali vijon me 11 gusht me një koncert të Dren Abazit dhe mbyllet më 12 gusht me një koncert nga violinisti i njohur Olen Cesari.