Manchester United u mposht me rezultatin 2-3 në miqësoren ndaj Borussias së Dortmundit, teksa episodi që bëri xhiron e botës, ishte ai hakërrim i portierit Onana ndaj ish-kapitenit Harry Maguire.
Gardiani i kërkoi llogari mbrojtësit anglez për një pasim të munguar, që për pak mund të konkretizohej me gol nga gjermanët, teksa ishte pikërisht Onana që e shmangu me një pritje vendimtare.
Pas ndeshjes ish-portieri i Interit komentoi momentin, duke thënë se ka pritshmëri shumë të larta nga shokët e skuadrës, përfshi edhe Maguire, ndaj edhe kërkoi llogari për atë situatë.
“Unë pretendoj shumë nga shokët e skuadrës, ashtu siç pretendojnë ata nga unë dhe ma pasojnë topin shumë shpesh. Maguire është mbrojtës i mirë dhe luan mirë me topin, ndaj i kërkova llogari, pasi duhej të ma pasonte mua dhe të mos e komplikonte atë moment. Duhet të luajnë më shumë me portierin, kur nuk kanë pika të mira pasimi”, deklaroi Onana.