Janë orë të nxehta për një lamtumirë të mundshme të Andre Onanës nga Interi. Siç raporton La Gazzetta dello Sport, oferta e parë zyrtare nga Manchester United pritet në orët në vijim për portierin kamerunas, i cili është kthyer në prioritetin e merkatos së Djajve të Kuq.
David De Gea nuk është më zgjedhja e parë për trajnerin ten Hag. Klubi anglez do të hedhë në pjatë një ofertë prej rreth 40-45 milionë euro, shumë që me siguri do të refuzohet nga Interi, duke qenë se kërkesa nga klubi nënkampion i Europës është 60 milionë euro.
Distanca ekziston, por është më pak e gjerë nga sa mund të mendohet, ndërkohë që ekziston dhe mundësia që të arrihet një akord për 50 milionë euro, duke lënë të kënaqur të dyja palët.