Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në Ditën e Përkujtimit për Gjenocidin e Srebrenicës, ka pritur në takim deputetin e Dhomës së Përfaqësuesve të Bosnje dhe Hercegovinës, Semsudin Mehmedoviç, si dhe një delegacion të përfaqësuesve të komunitetit boshnjak në Kosovë, përfshirë zëvendëskryeministren Emilija Redzepi dhe deputetë të Kuvendit të Republikës.

Në takim, Osmani ka theksuar se vuajtjet e popullit boshnjak në këtë ditë të trishtë ndahen edhe nga populli i Kosovës, duke theksuar se gjenocidi në Srebrenicë është simbol i tmerrit të krimeve gjenocidale serbe.
Presidentja ka përsëritur dënimin e fuqishëm kundër çdo përpjekjeje për të mohuar gjenocidin e Srebrenicës, sepse ky mohim ka për qëllim denigrimin e viktimave dhe fshehjen e motiveve të krimeve të kryera.

Sipas njoftimit së Presidencës, në diskutim me deputetin Mehmedoviç, Presidentja Osmani ka thënë se koordinimi i përbashkët është tejet i rëndësishëm në këtë periudhë kur tendencat për destabilizim dhe minim të paqes janë në rritje, prandaj në këtë drejtim, ka vlerësuar edhe kontributin e jashtëzakonshëm të komunitetit boshnjak në Kosovë si urë ndërlidhëse e këtij koordinimi.
Gjatë takimit, deputeti Mehmedoviç falënderoi Presidenten Osmani për përkrahjen e vazhdueshme, si dhe për rolin e saj në miratimin e Rezolutës së Kuvendit të Republikës për Gjenocidin në Srebrenicë.
Gjenocidi i Srebrenicës
Më shumë se 8,000 burra dhe djem myslimanë boshnjakë u vranë kur forcat serbe sulmuan qytetin lindor të Srebrenicës në korrik të vitit 1995, pavarësisht pranisë së trupave paqeruajtëse holandeze.
Forcat serbe po përpiqeshin të merrnin territorin nga myslimanët boshnjakë dhe kroatët për të formuar një shtet.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së e kishte shpallur Srebrenicën një “zonë të sigurt” në pranverën e vitit 1993. Megjithatë, trupat e udhëhequr nga gjenerali Ratko Mlladiç, i cili më vonë u shpall fajtor për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid, pushtuan zonën e OKB-së.
Trupat holandeze nuk arritën të vepronin ndërsa forcat serbe pushtuan zonën, duke vrarë rreth 2,000 burra dhe djem vetëm më 11 korrik.
Rreth 15,000 banorë të Srebrenicës u larguan në malet përreth, por trupat serbe gjuajtën dhe vranë 6,000 njerëz të tjerë. Trupat e viktimave janë gjetur në 570 vende në të gjithë vendin.
Në vitin 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë vendosi se në Srebrenicë ishte kryer gjenocid.
Më 8 qershor 2021, gjyqtarët e gjykatës së OKB-së lanë në fuqi në një gjykim të shkallës së dytë një vendim që dënonte Mlladiçin me burgim të përjetshëm për gjenocid, persekutim, krime kundër njerëzimit, shfarosje dhe krime të tjera lufte në Bosnje e Hercegovinë.