Deputeti nga Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thënë se mospjesëmarrja e kryeministrit të Kosovës në takimin joformal në Tiranë me përfaqësuesit e shteteve të Ballkanit Perëndimor, e gëzon shumë Serbinë.

Sipas tij, kryeministri Albin Kurti ka treguar mospërgjegjësi totale duke refuzuar të marrë pjesë në këtë takim.

“Mospjesëmarrja e Kosovës në takimin përgatitor të Samitit të Berlinit, pa marrë parasysh faji i kujt është, që tani kryesohet nga Shqipëria, është lajmi më i keq që mundet t’i ndodh Kosovës.
Kjo iniciativë ka në fokus integrimin sa më të shpejtë të rajonit në BE dhe se aty janë bërë shumë lehtësime për Kosovën duke pasur parasysh se Serbia gjithmonë ka qenë refuzuese ndaj pjesëmarrjes së Kosovës.

Mospjesëmarrja e Kosovës e gëzon shumë Serbinë. Keqardhja ime është mungesa totale e përgjegjësisë së Qeverisë dhe kryeministrit që përkundër se ishte i ftuar, refuzoi pa asnjë arsye”, ka shkruar ai në Facebook.

Takimi, i cili u zhvillua në Vilën 30 në Tiranë është mbajtur në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit që do të zhvillohet në Shqipëri më 16 tetor.