Shtetasit shqiptarë por edhe ata të huaj që nuk deklarojnë të ardhurat e tyre në kufi, është një nga veprat penale që vitet e fundit po vjen në rritje. Referuar të dhënave të Policisë së Shtetit, në 6 muajt e këtij viti, në kufi policia ka sekuestruar rreth 1.5 milionë euro. Pjesa më e madhe e këtyre rasteve janë zbuluar në hyrje të territorit shqiptar.
Ndërsa poseduesit e tyre, shtetas shqiptarë dhe të huaj janë proceduar nga policia për mosdeklarim të të hollave në kufi. Nga kontrollet, është evidentuar se pika nga janë kaluar më shumë para të padeklaruara është aeroporti i Rinasit dhe Porti i Durrësit. Paratë e sekuestruara nga policia janë euro, dollarë, paundët britanik dhe franga zvicerane. Referuar statistikave, gjatë këtyre 6 muajve, vetëm në muajin mars janë bllokuar rreth 520 mijë euro të padeklaruara në pikat kufitare, që shënon edhe vlerën më të lartë krahasuar me muajt e tjerë.
Kryesisht, shtetasit shqiptarë për të cilët nis procedimi në gjendje të lirë, deklarojnë gjatë marrjes në pyetje se nuk kanë dijeni që nëse kalojnë më shumë se 10 mijë euro në kufi, vlerën duhet ta deklarojnë pranë organeve kompetente. Ndërsa një pjesë e shtetasve të huaj nuk japin deklarime pranë policisë për burimin e të ardhurave për vlerat monetare që u zbulohen . Në këto raste, hetuesit kanë dyshime se ato para rrjedhin nga aktivitet kriminal jashtë vendit dhe synohen të investohen në Shqipëri.