Jo plotësisht i bindur nga loja e skuadrës së tij Zoran Zekiç i Partizanit do të zbresë në fushën e Air Albania mbrëmjen e sotme me objektivin për të fituar.
Trajneri kroat i të kuqve kërkon që të paktën në këtë ndeshje të parë me Bate Borisiv që do të luajë në shtëpi të marrë fitoren duke shpresuar që futbollistët e tij të bëjnë lojën që ai ka kërkuar këtë muaj të fundit që është në drejtim.
Në ndeshjet miqësore të luajtura deri tani, Zekiç ka parë edhe gafa të lojtarëve. Tekniku ka kërkuar grup të bashkuar dhe futbollistë që mbulojnë hapësirat, me pak fjalë, lojë e mirëfilltë skuadre.
Për këtë arsye ai ka ndërtuar edhe modulin 4-3-3 me Qirkon në portë; Hadroj, Telushi, Sota dhe Atanaskoski në mbrojtje; Rrapaj, Mehmeti dhe Murataj në mesfushë ndërsa në sulm do të jenë Da Silva, Mba dhe Cara.
Ky i fundit është në balotazh me Grezdën në varësi të rezultatit gjatë ndeshjes. Faktori fushë nuk do t’i ndihmojë shumë të kuqtë teksa interesimi i tifozerisë nuk ka qenë i madh.
Mendohet që deri në mbrëmje të jenë shitur rreth 6 mijë bileta nga 22 mijë shikues që është kapaciteti i stadiumit. Takimi i vlefshëm për raundin e parë të kualifikueseve të Champions do të nisë në orën 20:45.