Përçarjet në Partinë Demokratike thellohen çdo ditë edhe më shumë, duke e ndarë këtë forcë politike në tresh.

Sekretari i përgjithshëm Gazment Bardhi mblodhi këshillin kombëtar mbrëmë ku vendosi anulimin e zgjedhjeve të 29 korrikut, por sot ishte grupimi tjetër i Bashës që doli në kundërshti me këtë vendim e njoftoi detajet e organizimit të procesit të votimit nesër.

Numri i anëtarëve që pritet t’u drejtohen të shtunën kutive të votimit është reduktuar në më pak se 1/3 krahasuar me zgjedhjet e fundit të 2021 në PD, nga rreth 75 mijë anëtarë demokratë, në 25 mijë, teksa në 12 qarqe janë përgatitur 71 qendra votime. Dy kandidatët e një gare të cilësuar me fitues të paracaktuar në PD e vulës të copëzuar në dy pjesë, do të votojnë në selinë me qira, pasi shtëpinë e demokratëve e ka marrë joligjërisht grupimi i tretë, ai i “Rithemelimit”.

Në zgjedhjet e nesërme nuk priten surpriza, nuk ka dyshime së përballë Gjergj Hanit do të jetë Lulzim Basha sërish në krye të PD-së, në një proces statutor apo jo të tillë. Ajo që dihet me siguri është se kjo çështje do të përfundojë përsëri në gjykatë, pasi deputetët demokratë nuk kanë një mëndje për ristrukturimin e partisë.