Vargjet u recituan nga aktorë të njohur

Poezitë më të mira të kolosit të letërsisë sonë Ismail Kadare erdhën mbrëmjen e së martës përmes një performance poetike në tarracën e “Kullës Veneciane”. “Medalioni i Hënës”, kështu u quajt mbrëmja poetike, që mblodhi rreth vetes aktorë të njohur të skenës me regji të Driada Dervishit.

“Ne kemi ardhur që ta kujtojmë edhe veprën e Kadaresë, por edhe mbrëmjen në Durrës”, tha aktori Arben Derhemi. “Vendi më duket i veçantë, kjo platformë e torrës veneciane të Durrësit që është një vend vërtetë pikant”, u shpreh aktori Ndriçim Xhepa.

“Jam e lumtur që Ismail Kadare rikthehet në torrën veneciane, pas 2 vitesh të mbyllur. Është një pasuri që i ka munguar qytetit, sepse siç e patë dëshira për të parë gjëra të tilla është shumë e madhe”, u shpreh regjisorja Driada Dervishi.
Për këtë mbrëmje që vetë Ismail Kadare e ndoqi me bashkëshorten Helena, ai ndau këto fjalë.

“Jam shumë-shumë i gëzuar, jam ndjerë shumë i lumtur midis jush”. Nën zërin e këngëtares lirike Vikena Kamenica, dhe balerinës Vanesa Banushi poezitë e Kadaresë krijuan një atmosferë të veçantë tek të artdashësit.