Presidenti i SHBA-së Joe Biden dhe Zonja e Parë Jill Biden shijuan një ditë në plazhin Rehoboth në Delaware.

Në fotot e publikuara ekskluzivisht nga TMZ, ata shihen me një sërë sendesh në dorë dhe disa agjentë të Shërbimit Sekret që i shoqërojnë. Joe Biden u ul në një karrige buzë detit. Zonja e Parë Jill ishte pranë tij dhe të dy dukeshin të zënë, duke lexuar gjatë gjithë kohës.

Çifti presidencial është duke pushuar ndërsa një hetim i FBI është duke u zhvilluar në shtëpinë e pushimit të Biden në Delaëare, sipas mediave amerikane.

Avokati i Biden konfirmoi se policia federale ka marrë përsipër të kontrollojë shtëpinë e presidentit amerikan në plazh në Rehoboth dhe theksoi se presidenti “po bashkëpunon plotësisht”.

FBI ka kontrolluar tashmë një shtëpi tjetër të Biden, në Wilmington, Delaware, duke kërkuar për dokumente të klasifikuara nga periudha e tij si senator dhe, më vonë, zëvendëspresident i Barack Obamës.