Regjistrimi i nënshkrimeve të reja të Inter Majamit është në rrezik. Të paktën kështu bëjnë me dije mediat spanjolle, që u referohen burimeve nga klubi amerikan. rer

Skuadra e “MLS League” paraqet probleme serioze për t’i përshtatur lojtarët e saj brenda kufijve të pagave të vendosura nga “MLS”, një situatë që mund të vështirësojë ardhjen në Shtetet e Bashkuara të lojtarëve si Andres Iniesta, Zhordi Alba apo Serxho Ramos. Megjithatë, siç bën me dije gazeta spanjolle “Sport”, Lionel Mesi nuk rrezikon aspak në këtë histori. Dhe se kampioni i botës me Argjentinën në “Katar 2022” do të jetë rregullisht pjesë e Inter Majamit duke nisur nga filli i gushit të këtij vitit.

Përtej Mesit, Inter Majami ka mundur të sigurojë dhe shërbimet e Serxhio Buskets, teksa në planet e klubit janë dhe lojtarë të tjerë që kanë lënë gjurmë në futbollin modern si Andres Iniesta, Serxho Ramos dhe Zhordi Alba. Vështirësitë në regjistrimin e nënshkrimeve të reja të Inter Majamit e kanë origjinën në kufijtë e pagave të vendosura nga liga profesioniste amerikane.

Klubet në ligën amerikane i nënshtrohen të njëjtave rregulla për të ruajtur një ekuilibër konkurrues mes të gjitha skuadrave, rrethanë që mund të hedhë në erë planet e Interit me nënshkrimet e reja. MLS ka vendosur një kufi pagash prej 5.2 milionë dollarësh për çdo ekip në sezonin 2023, një limit që mund të shkojë deri në 7.1 milionë falë fondeve të përgjithshme të alokimit (GAM) që përfaqësojnë një ndihmë për klubet.

Megjithatë, të gjitha skuadrat rezervojnë një formulë për të siguruar nënshkrime të klasit të parë: rregullin e lojtarit të ekskluzivitetit. Që në këtë rast tek Inter Majami e ka fituar Lionel Mesi. Me këtë rregullore, e krijuar me ardhjen e David Bekham në “MLS”, çdo klub mund të regjistrojë deri në tre lojtarë të cilëve mund t’u paguhet një pagë mbi kufirin e lejuar.

Kufiri i pagave në lidhje me lojtarët ekskluzivë është subjekt i fondeve të secilit pronar dhe është i pavarur nga maksimumi i vendosur nga “MLS”-ja për çdo ekip, kështu që ata nuk kanë një kufi të caktuar nga rregullorja e ligës. Është me këtë formulë që ata mund të nënshkruajnë lojtarë të nivelit të lartë që vijnë nga liga më konkurruese.

Problemi për Inter Majamin është se aktualisht ka dy vende ekskluzive për lojtarët në skuadrën e tij: Jozef Martinez dhe Rodolfo Pizarro. Vendi i tretë është rezervuar për Leo Mesin. Vështirësitë për klubin amerikan vijnë nga regjistrimi i lojtarëve si Buskets ose të tjerë, që janë gati të firmosin si Andres Iniesta, Zhordi Alba apo Ramos.