Nga Ylli Pata

E gjithë konferenca e shpallur me bujë si një “simpozium argumentesh e panelesh” u kthye ashtu siç pritej në një one man show, ku foli vetëm doktori.

I cili ka paraqitur një material, sipas të cilit Home Office, pra Ministria e Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar, thekson se shpalljen “Non grata” e ka mbështetur në disa materiale të Fondacionit Soros dhe shkrimeve të rrjetit ballkanik të lajmeve Birn.

Kush ka ndjekur komunikimin e Sali Berishës, në javën e fundit të majit 2021, pak ditë ditë pasi u shpall “Non Grata” nga qeveria e SHBA, shikon se edhe atëherë ka thënë pak a shumë të njëjtat gjëra.

Që qeveria e SHBA është mbështetur nga denoncimet e Edi Ramës, Birn, gazetave të Soros, e gjëra të tilla.

Pra dy nga qeveritë më të fuqishme të botës, siç është SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar, që kanë rrjete informacioni, analize dhe vendimarrje shekullore në çdo kënd të botës, do të mbështeten për të vendosur në disa rrjete apo media lokale. Një logjikë që nuk qëndron e as nuk e ha askush që ka dy pare ide të çështjes.

Çështja që në fakt do të duhej që të analizohet, e ku realisht ka ende mjaft të panjohura është se pse dy superfuqitë, po ndërmarrin tani një megaoperacion për të ndëshkuar politikanë të rëndësishëm në të gjithë Ballkanin përkatësisht, por edhe në vende të tjera të botës. Gjithsesi, nëse ndiqen eventet, edhe kjo ka një shpjegim, e lidhje logjike, po më shumë se një argument mediatik, është një këndvështrim për simpozium, ku palët ngrenë diskutime.

Në thelb Berisha nuk kishte asgjë të re për të treguar në publik në lidhje me dosjen amerikane apo edhe britanike. Pasi si ajo e qeverisë së SHBA, që ka si bazë dokumentin e Departamentit të Shtetit sipas ligjit 7031(C), por edhe deklarata e ambasadorit britanik, pas vendimit të Home Office-s, kanë shpërndarë mjaft të dhëna se ku janë bazuar në vendimin drastik që bazë ka “korrupsionin e qenësishëm” dhe lidhjet me krimin e organizuar.

Tashmë është folur gjatë për këto dy vendime-të SHBA e Britanisë së Madhe ndaj Berishës, që janë “vula të thata” e përfundimtare. Të cilat natyrisht kanë një pasojë politike, e që e kemi parë prej dy vjetësh. Si pasojë e Non Grata-ve, si doktori ashtu edhe lobi i tij i rëndësishëm nuk mund të rikthehet në krye të politikës, pasi siç e thotë titulli i urdhrave ndëshkimorë: “janë të padëshiruar”.

Influenca e Sali Berishës megjithatë nuk ka sesi të shuhet lehtësisht. Në fushën politike bëhet fjalë. Ai ka të gjitha mundësitë të ndikojë e lobojë, por këtë herë jo në nivelin e lartë. Pra të lëvizë “mbretin” siç bënte me Lulzim Bashën. Në këtë pozitë është jo vetëm doktori në Shqipëri natyrisht. Janë edhe të gjithë Non Gratat e tjerë, qoftë që janë ndëshkuar nga DASH si Doshi e Dako, qoftë nga Thesari si Aqif Rakipi.

U pa qartë se gjithë ajo gurgule që kurdisi Sali Berisha brenda PD-së që prej vjeshtës së 2021, kur Basha e përjashtoi nga grupi parlamentar i PD-së, nuk i ka shërbyer as atij vetë, e as opozitës si komunitet dhe entitet politik në vend.

Madje, thuajse e kanë kuptuar të gjithë se e gjithë “lufta civile” që zhvilloi Sali Berisha brenda PD-së për dy vjet, nuk ka bërë tjetër gjë, veçse kanë shkatërruar substraktin e komunitetit të aktivistëve, militantëve dhe personazheve politikë që ka tërhequr kjo forcë politike për 30 vjet. Mirë keq, ai asset, që njëherë vjen e një herë largohet, është amalgamuar(edhe pse jo 100%) në vite e vite kur e djathta ka kaluar kohën e saj të krizave. Kjo luftë e fundit ka shkatërruar një relacion, që është shumë e vështirë të ngjallet.

Ka një vakum të madh në opozitë përsa i përket kuadrove të besueshëm politik, pasi thuajse pjesa më e madhe e klasës politike aktuale janë të pabesueshëm. Këtë boshllëk, me faza dhe proces që merr kohën e saj mund ta mbushin vetëm outsider-ët që nuk kanë qenë pjesë e lojrave brenda PD-së. Por që të ndodhë procesi, duhet që atë ta orientojë komuniteti politik i një force të strukturuar që është PD-ja, kryesisht në territor. E natyrisht kjo po ndodh, pavarësisht se një pjesë e politikanëve “lart”, gjegjesisht deputetë duan të imponojnë proceset. Sado të tentojnë të krijojnë ngjarje apo sajojnë, e ndoshta shfrytëzojnë skandale të ndryshme e të bujshme, në realitet ngjarjen e prodhon politika si një koncept bazik.

Partia Demokratike në vitin 1990 nuk ishte një parti politike, as organizatë madje. Nuk ishte as si Solidarnosi i Valesës, Michnikut, intelektualëve të tjerë e Kishës Katolike Polake, apo si Karta 77 e Vaclav Havelit në Çekosllovaki, ku ka pasur organizime disidence të qartë.

Disidentët shqiptarë ishin në burgje kur u krijua PD, grupi drejtues i parë i PD-së u krijua si një substrakt intelektualësh të njohur gjatë viteve të komunizmit. E siç ndodhën eventet, përplasjet, kundërshtite problemet mes tyre ishin të mëdha se nuk kishin as histori e as kimi politike së bashku. Por PD-në realisht e ka krijuar Perëndimi, e posaçërisht SHBA, e cila jo vetëm mbështeti opozitën e parë shqiptare, por promovoi edhe me emër drejtuesit e saj që atëherë ishin Sali Berisha e Gramoz Pashko.

Edhe sot, Perëndimi mund të krijojë një parti apo një front të ri opozitar në Shqipëri, nëse e merr këtë mision përsipër. Pasi këtu SHBA e Perëndimi është realisht një “religjion politik”. E këtë më mirë se Sali Berisha nuk e di askush, i cili ka qenë në sallonet më të larta të superfuqive Perëndimore, më shumë se askush tjetër dhe i pari fare. E duke e ditur, ai është koshient se nuk mund të krijojë në Shqipëri një formacion politik antiperëndimor. Edhe pse u mundua shumë, jo vetëm për 2 vjet, por për shumë vite e vite.

Zyrtarisht që nga viti 2016, kur shpalli armikun më të madh të vendit, “Monitorimin e SHBA e BE për drejtësinë shqiptare”. Por natyrisht ai do të lëvizë e madje fort, sepse ka mjetet e mundësitë, por edhe emergjencën për të mbrojtur veten e të tijtë nga çdo faktor që kërkon ta ç’faktorizojnë. Natyrisjt që fuqia e këtij faktori do të jetë gjithnjë e më shumë më periferike. Siç është rendja e fortë për të marrë sot bashkinë e Rrogozhinës, një qytezë periferike e qarkut të Tiranës…