Kur zbuloni një tradhti, jeni të pushtuar nga një cunami emocional: tronditja, mosbesimi, zemërimi, një ndjenjë zbrazëtie dhe hutimi janë vetëm disa nga emocionet që ndjeni kur zbuloni se partneri juaj ka pasur një aventurë ose një marrëdhënie paralele. Por pse po tradhton? Dhe pse njerëzit tradhtojnë edhe kur janë të lumtur në një lidhje?
Është një ngjarje që trazon thellë. Dikush ndihet i humbur, i çorientuar, dikush mund të ndihet fajtor, të tjerët mund të ndihen të lënduar dhe të shkatërruar në vetëvlerësimin e tyre. Dhe si emërues i përbashkët është gjithmonë se njerëzit e tradhtuar nuk mund ta kuptojnë pse tjetri kishte nevojë, ose nuk mund t’i rezistonte thirrjes së krahëve të tjetrit (apo tjetrës). Dhe kështu pyetja që lind gjithmonë është “Pse tradhton?”
Arsyet janë të ndryshme, çdo çift ka historinë e vet dhe ekuilibrat e veta dhe gjithashtu janë të ndryshme arsyet që e çojnë njërin prej tyre në tradhti. Disa arsye i përkasin thelbisisht çiftit. Në këtë rast, tradhtia është paksa maja e ajsbergut të diçkaje që nuk funksionon më. Le të shohim disa shembuj:
Problemet në çift. Duket qartë, por kur bëhet fjalë për tradhtinë, një aspekt i rëndësishëm për t’u marrë parasysh është cilësia e marrëdhënies. Kur jeta emocionale ose seksuale brenda çiftit është e pakënaqshme ose e lënë pas dore, tundimi për të kërkuar kënaqësinë diku tjetër rritet dhe tradhtia shpesh bëhet një mënyrë për të hapur një krizë në çift dhe për ta vendosur atë në qendër ose për të shkatërruar përfundimisht lidhjen.
Hakmarrja ose ndëshkimi. Në disa situata, një person mund të tradhtojë si një akt hakmarrjeje ose ndëshkimi ndaj partnerit të tij, në përgjigje të një fyerje ose gabimi nga ana e tjetrit, ose për të kompensuar një tradhti të mëparshme.
Mungesa e komunikimit. Komunikimi i pamjaftueshëm ose mungesa e hapjes dhe dialogut në çift mund të çojë në keqkuptime dhe zhgënjime që mund ta shtyjnë një person drejt tradhtisë.