Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka zbuluar se zyrtarë nga kabineti qeveritar i kryeministrit Albin Kurti janë nën hetim nga drejtësia.
Gjatë një interviste Miftaraj tha se nga 7 zyrtarët nën hetim nga organet e drejtësisë 4 prej tyre janë ministra.
I pyetur se kush janë ministrat nën lupën e organeve të drejtësisë, Miftaraj deklaroi: Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi; ministrja e punëve të jashtme, Donika Gërvalla; ministri i Financave, Hekuran Murati, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari; zëvendësministri i infrastrukturës, Hysen Durmishi dhe dy zëvendësministra të tjerë.
“Dyshohet se veprat penale janë kryer që nga koha e qeverisë Kurti 2 nga viti 2021. Mund të them që ndoshta më e rënda është te Ministria e punëve të Jashtme, sepse ka dhënë një tender me 1 milion euro, do të thotë marrëveshje me një organizatë joqeveritare në Kosovë që të zbatojë projektin.
Çuditërisht organizata është udhëhequr nga zëvendësministrja që ka qenë në atë kohë drejtoreshë e OJQ-së. Kemi rastin e Hekuran Muratit që në kohën e grevave të mësimdhënësve kishte hezituar të ekzekutojë pagat e mësuesve, si një lloj hakmarrje ndaj tyre, të cilën Task Forca është duke e hetuar një vepër penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”, u shpreh Miftaraj.