Kuvendi i Kosovës u shndërrua të enjten në një vend përleshjesh fizike, mes deputeteve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe anëtarëve të Qeverisë së Kosovës, që drejtohet nga Albin Kurti. Kuvendi i Kosovës u shndërrua të enjten në një vend përleshjesh fizike, mes deputeteve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe anëtarëve të Qeverisë së Kosovës, që drejtohet nga Albin Kurti.

Përleshjes i parapriu një javë akuzash të ashpra rreth një audio-incizimi, në të cilin Mimoza Kusari-Lila, kryetare e grupit parlamentar të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), u dëgjua të pohonte se kishte komunikuar me nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq, vitin e kaluar.

Partitë opozitare reaguan ashpër ndaj qeverisë, pas publikimit të audio-incizimit.

Nga LVV-ja, para dhe pas ardhjes në pushtet, Radoiçiq është cilësuar si kriminel që punon kundër shtetit të Kosovës.

Në përleshje, gjatë seancës parlamentare të 13 korrikut, u përfshinë shumë deputetë dhe ministra.

Por, ky incident nuk është i pari i tillë në Kuvendin e Kosovës, ku edhe në të kaluarën ka pasur përleshje fizike, sulme në tentativë dhe skena të ndryshme dhune, përfshirë hedhjen e gazit lotsjellës, të sprejit të piperit dhe të vezëve.

I hedhim një vështrim retrospektiv ngjarjeve kryesore, ku dhuna u përdor si mjet për arritjen e qëllimeve politike.

2015

Protesta dhe kacafytje të ndryshme kanë ndodhur në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës prej themelimit të këtij institucioni legjislativ.

Por, tensionet kulmuan tej mase në vitin 2015, kur Lëvizja Vetëvendosje, asokohe në opozitë, kundërshtonte marrëveshjen e Brukselit për normalizimin e raporteve me Serbinë, që përfshinte formimin e një asociacioni të komunave me shumicë serbe, si dhe marrëveshjen për demarkimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Në këtë kohë, opozita ishte e bashkuar në veprime, pasi që, përveç deputetëve të LVV-së, edhe deputetë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe të Nismës Socialdemokrate hodhën gaz lotsjellës brenda sallës së Kuvendit të Kosovës.

Nënkryetari i LVV-së, Glauk Konjufca, ishte shpesh personazh i konfrontimit me zyrtarët policorë dhe me kundërshtarët politikë.

Vëzë, ngjyrë, gaz lotsjellës e sprej piperi u hodhën atëbotë nga deputetët e LVV-së, në drejtim të qeverisë së koalicionit mes PDK-së dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe kryeministrit Isa Mustafa.

Në konfrontime, siç shihet edhe në fotografinë e mëposhtme, përfshihej tani kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ky është vetëm një nga momentet, në të cilat shihet se si ai sulmoi me sprej piperi atëbotë kryeministrin Mustafa.

2016

Punët e Kuvendit e Kosovës u penguan për disa muaj rresht, gjatë vitit 2015. Por, edhe pjesa e parë e vitit 2016 u karakterizua me seanca të ndërprera e me gaz lotsjellës.

Zgjedhja e ish-kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçi, në pozitën e presidentit të Kosovës, ngjalli protesta të shumta, që shpeshherë çuan në përdorim të gazit lotsjellës, si brenda, ashtu edhe jashtë sallës së Kuvendit të Kosovës.

Seanca e 26 shkurtit të vitit 2016 u shoqërua me tensione dhe me përplasje, mes deputetëve të partive opozitare të asaj kohe – LVV, AAK e Nisma – dhe pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, që kishin përgjegjësinë për siguri në Kuvend.

Në fund të seancës, përkundër dhunës dhe ndërhyrjes së policisë, Thaçi u zgjodh presidenti i ri i Kosovës. Mandatin ai nuk e çoi në fund, pasi u arrestua nga Gjykata Speciale për akuza për krime lufte.

Hedhja e gazit lotsjellës, si dhe përplasjet fizike mes deputetëve të opozitës dhe atyre të pushtetit, vazhduan gjatë vitit 2016, si kundërshtim ndaj ratifikimit të marrëveshjes për demarkimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Policia ndërhyri disa herë në sallën e Kuvendit, duke arrestuar disa deputetë të LVV-së, e cila ishte në opozitë.

Në vitin 2016 kishte ndodhur një rrahje në mes të deputetëve të LVV-së dhe atyre të PDK-së.

Të përfshirë qenë deputetët e VV-së, Rexhep Selimi dhe Visar Ymeri, dhe ata të PDK-së, Bekim Haxhiu dhe Latif Gashi.

2018

Demarkacioni u kthye sërish si temë përplasjesh në vitin 2018.

Votimi i marrëveshjes për demarkimin e kufirit me Malin e Zi ishte i pamundur për disa vjet rresht, për shkak të kundërshtimit që i bënin partitë opozitare – LVV, AAK dhe Nisma.

Por, situata ndërroi, kur udhëheqjen e Qeverisë së Kosovës e mori Ramush Haradinaj i AAK-së, në koalicion me PDK-në.

Pas disa seancash përplasje, gaz lotsjellës, sprej piperi e arrestim të deputetëve, në fund marrëveshja u votua.

2020

Një konfrontim fizik kishte ndodhur në seancën e 19 nëntorit të vitit 2020, në Kuvendin e Kosovës. Në konfrontim ishin përfshirë deputetë të LDK-së dhe të LVV-së.

Arben Gashi i LDK-së ishte përplasur me deputetët e VV-së, Hajrullah Çeku dhe Hekuran Murati, të cilët aktualisht mbajnë poste ministrash.

Gashi ka qenë i përfshirë edhe në një konfrontim tjetër fizik, me deputetin e PDK-së, Xhavit Haliti, i cili e kishte goditur me krah Gashin në vitin 2018.

Radio Evropa e Lirë nuk ka fotografi të incidentit, por ai është i publikuar në shumë media lokale.

2021

Një seancë tjetër e tensionuar ishte zhvilluar në majin e vitit 2021.

Në këtë seancë u ngritën tensione, pasi PDK-ja akuzonte ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla Schwarz, për, siç thanë ata, “akuza të rreme” ndaj ish-udhëheqësve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi e Kadri Veseli.

Në përleshje fizike u përfshinë deputeti i VV-së, Besim Muzaqi, dhe ai i PDK-së, Hajdar Beqa.

Deputeti Beqa u përfshi në përleshje me ministrat nga radhët e LVV-së edhe në incidentin e fundit, më 13 korrik.