Nga Mero Baze/

Lulzim Basha po i çmend të gjithë. Demokratët e zemëruar me të që tashmë janë me Berishën natyrisht janë më të zemëruarit. Qetësia me të cilën ai në pikun e kësaj vape, bënte fushatë formale zgjedhore brenda PD, organizonte takime në salla dhe përsëriste mesazhin për vetingun e politikanëve, ua çonte nervat në qiell.

Njeriun që e adhuronin se ua solli Berisha dhe e urrenin se u përball me Berishën, tani nuk e shikonin dot si një njeri që po bënte një punë vetë, pa leje të Berishës madje duke marrë mallkimet e tij.

Dhe nuk është se s’kanë të drejt të tërbohen. Qetësia me të cilin ai zhvillon një fushatë sikur nuk ka ndodhur asgjë, edhe pse bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, e braktisën në mes të vapës madje qysh gjatë zgjedhjeve të majit, i kishte rritur shpresat që ky nuk do shfaqej më.

Rishfaqja, e cila ka plot nota teatrale, nuk u nda as nga chati digital i Gazmend Bardhit i cili thotë se ka prova që ka folur me rreth 270 gra dhe burra onlinë që nuk janë dakord me këtë që bën Basha.

Po kaq të çuditur me të janë dhe mbështetësit e Bashës. Natyrisht më të paktë në numër se ata të Berishës, por më pak të dëshpëruar se ata. Ndryshe nga mbështetësit e Berishës, që makthi i mos ardhjes në pushtet shtohet kur mendojnë se shkak është Berisha, mbështetësit e Lulit janë më të qetë pasi së paku e dinë që shkaku i mos ardhjes në pushtet nuk është Luli, por Berisha. Kjo është e vetmja diferencë e madhe sa i përket nervozizmit mes tyre dhe demokratëve të Berishës.

Dhe ata janë shumë të çuditur se ku e gjen gjithë këtë fuqi Basha që në pikë të vapës të bëjë zgjedhjet formale në parti dhe të sillet sikur nuk ka ndodhur asgjë.

Të hutuar janë dhe kundërshtarët politikë në pushtet. Edhe pse kanë hallet e mbi pushtetit të tyre, dhe zullumet që burojnë nga qeverisja pa opozitë, shfaqja e Lulzim Bashës sot si kryetar i PD, i huton dhe pyesin njëri tjetrin:

“Po ky çḑo?”
Por është një njeri që ndryshe nga gjithë të tjerët, nga ata që çmenden nga inati, nga ata që çuditen dhe të tjerë që habiten.
Është një njeri që në fakt është i tërbuar nga gjithë kjo histori vere.
Është Sali Berisha.

Përpjekjet e tij dyvjeçare për të marrë monopolin e opozitës dhe siglën e PD, sot i duken të pashpresa. Nuk është se e ka shumë problem siglën dhe vulën, por ka problem faktin që fusha nuk është vetëm e atij. Madje një cep i fushës, është i një njeriu që tani është në politikë vetëm për shkak të tij dhe vetëm kundër tij.

Kjo e tërbon atë me Lulzim Bashën më shumë se çdo gjë tjetër në këtë vend, më shumë se skandalet e qeverisë, më shumë se arrestimet e SPAK, më shumë se hetimet ndaj djalit dhe dhëndrit dhe ndoshta më shumë dhe se sa një fund i keq për të, nëse e çojnë në burg. Të gjitha këto, ai mendon se e heroizojnë.

Shfaqja e Lulzim Bashes si kryetar i PD e bën atë të ndjehet i poshtëruar.
Ndoshta për kaq ja vlen ta durojmë të gjithë këtë rizgjedhjen e Lulzim Bashës sot.

Çdo lëvizje politike zgjidh një çështje dhe kjo zgjidh çështjen e heqjes së monopolist të Sali Berishës mbi opozitën.
Të tjerat kur të vij koha.