Policia kufitare ka shpëtuar nga mbytja këtë të premte në Durrës një familje me 4 persona, mes tyre 2 fëmijë të mitur. Ata rrezikuan të mbyteshin në det, pasi mjeti me të cilin lundronin pësoi defekt.

Shërbimet e Policisë Kufitare të DVKM Durrës janë njoftuar se 4 pjesëtarëve të një familjeje, mes tyre 2 fëmijë të mitur, iu rrezikohej seriozisht jeta, në det, pasi mjeti lundrues (varkë plastike) me të cilin po lundronin për qëllime argëtimi, kishte pësuar defekt, në gjirin e Durrësit.

Menjëherë pas marrjes së këtij njoftimi, shërbimet e Policisë Kufitare të DVKM Durrës janë nisur me mjet lundrues, drejt vendit të sinjalizuar.

Si rezultat i operacionit të shpëtimit, 4 familjarët u nxorrën në breg, në gjendje të mirë shëndetësore. Gjithashtu, mjeti lundrues që kishte pësuar defektin, u nxorr në breg duke u tërhequr nga mjeti lundrues i Policisë Kufitare.