Dy trupa të tjerë të karbonizuar u gjetën në orët e pasdites në zonën e Volos, 320 kilometër në veri të Athinës, pas zjarreve që përfshinë vendin.
Sipas zjarrfikësve, trupi i parë u gjet në një stan të djegur plotësisht në zonën Ajos Jogjios në Feres të Volosit, ndërsa ekipet e shpëtimit po kërkojnë për vëllanë, i cili më herët kishte kërkuar ndihmë se po digjej stani i tyre.
Trupi i dytë u gjet në zonën Horostasi në Volos. Viktima është një grua e moshuar, e cila nuk mundi të largohet prej flakëve që përfshinë pronën e saj në të cilën jetonte së bashku me bashkëshortin e saj, që u dërgua në spital pa shenja jete, por ende nuk dihet nëse ka mundur të shpëtojë.
Sipas kryetarit të bashkisë së zonës, më herët banorëve të zonës u ishte dërguar mesazh nga numri i emergjencës 112 për të evakuuar zonën.
Tashmë, ka shkuar në pesë numri i viktimave nga zjarret në Greqi. Një ditë më parë dy pilotë humbën jetën gjatë rrëzimit të një avioni zjarrfikës në ishullin Evia, ndërsa një bari u gjet i karbonizuar në të njëjtën zonë.