Gazment Bardhi ka mbetur pengesa e vetme për rikthimin e Lulzim Bashës në krye të PD-së.
Në ditën e fundit të fushatës për zgjedhjet e liderit të ri demokratëve, të enjten e 27 korrikut Bardhi ka thirrur mbledhjen e këshillit kombëtar të Partisë Demokratike. ‘Kur partia është pa kryetar, statuti parashikon që është sekretari i përgjithshëm ai që ka të drejtën të mbledh Këshillin kombëtar’ thuhet në njoftim, duke lënë të kuptohet mosnjohjen e të gjithë procesit të deritanishëm të kryer nga mbështetësit e Bashës.

Kjo lëvizje e Bardhit duket se është përpjekja e fundit për ndalimin e zgjedhjeve brenda PD-së më 29 korrik. Mirëpo, grupimi i Bashës për të shmangur rrezikun prej Bardhit, i hoqi të drejtën e vulës atij, duke ia kaluar të drejtat ligjore të partisë Indrit Sefës. Ky akt konsiderohet i pavlefshëm prej sekretarit të shkarkuar.

Teksa pikëpyetjet shtohen: A do të mbahen zgjedhjet në PD, të shtunën me pëlqyeshmërinë e grupimit të Bashës? Apo do të drejtohen kundërshtarët e tyre në dyert e gjykatës?

Sherri për vulën e ka bërë edhe më të paqartë situatën, por e sigurt është se copëzimi i PD-së në tresh ka ulur numrin e anëtarëve me 2 herë më pak se në zgjedhjet e 2021. Këtë e konfirmon vetë i besuari i Bashës, Jemin Gjana.

“Ka pasur 75 767 anëtarë të regjistruar, ndërsa ka 25 460 anëtarë”, tha Jemin Gjana.

Më i qetë në rrëmujën e PD-së së vulës, duket grupimi i rithemelimit , të cilët duket se do vazhdojnë koalicionin e zgjedhjeve vendore me Metën edhe gjatë shtatorit.