Një aksident automobilistik shkaktoi një zjarr në ishullin grek të Kios, i cili ndodhet në detin Egje pranë territorit të Turqisë. Shoferi humbi kontrollin e makinës, doli nga rruga, goditi një mur dhe makina shpërtheu në flakë, të cilat u përhapën me shpejtësi.
Aktualisht drejtuesi i mjetit ndodhet në spital me plagë të lehta. Ai u testua dy herë për alkool dhe rezultoi në gjendje të dehur. Sipas mediave lokale, shoferi u arrestua nga policia.
Zjarri në Kios u vu nën kontroll rreth orës 10:00 të rmëngjesit me orën lokale dhe tani po tërhiqet, raporton ERT, duke deklaruar se “nuk ka asnjë front aktiv zjarri”. Rreth një orë pas mesnate, banorëve të fshatrave Diejka dhe Katavasis iu dërgua një mesazh për t’u evakuuar në Volisos.
Që orët e para të mëngjesit pesë avionë dhe katër helikopterë u përfshinë për shuarjen e zjarrit. Gjithsej 90 zjarrfikës janë në terren, duke përfshirë 10 zjarrfikës që mbërritën me varkë nga ishulli Lesbos dhe 27 zjarrfikës që mbërritën me avion nga Athina, të mbështetur nga 18 makina zjarrfikëse.