David Silva detyrohet të “var këpucët në gozhdë” në moshën 37-vjeçare. Spanjolli pësoi një dëmtim të rëndë, teksa këputi ligamentet e gjurit të majtë në një prej seancave stërvitore me Real Sociedad. Nëpërmjet një video ku përmbledh të gjithë karrierën e tij, David Silva njoftoi tërheqjen nga futbolli duke deklaruar se sot është një ditë e trishtë për të.
Karriera e David Silvës është mjaft e pasur duke qenë se ai ka fituar titujt më të rëndësishëm në karrierën e një futbollisti si Kampionati Botëror, dy Europianë, katër Premier League, dy Kupa Mbreti, pesë Kupa të Ligës, dy FA Cup si dhe tre Community Shield ndërsa i mungon vetëm Champions League. Gjatë karrierës së tij, Silva numëron 784 ndeshje në të cilat ka mundur të shënojë 124 gola si dhe të asistojë në 154 raste.
Silva e nisi karrierën në Spanjë me Eibar për të vazhduar më pas te Celta Vigo, Valencia, Manchester City si eksperienca më e rëndësishme dhe në fund rikthimi në LaLiga te Real Sociedad, pjesë e të cilës ishte prej vitit 2020.