Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, ka reaguar pas rrahjes që u zhvillua në Kuvendin e Kosovës mes deputetëve të PDK-së dhe kabinetit qeveritar. Lushtaku i cili hodhi ujë në drejtim të kryeministrit Albin Kurti, tha se reagimi i tij ishte kundër kriminelit dhe terroristit, Milan Radoiçiç, kjo pas audio-incizimeve që u publikuan këto ditë, ku dëgjohet shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, duke koordinuar politikat shtetërore me kriminelin Radoiçiç.
“Reagimi im ishte kundër Radoiçiç-it dhe argatëve te tij”, shkroi shkurt Lushtaku në “Facebook”.
Si filloi përplasja në kuvend?
Pasi deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, vendosi një letër ku Albin Kurti dukej me hunda të zgjatur si simbolikë e gënjeshtarit, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, nga vendi i tij shkoi hoqi letrën dhe e grisi. Më pas deputeti Mërgim Lushtaku hodhi ujë në drejtim të kryeministrit Kurti, derisa prapë Besnik Bislimi e goditi me shishe Lushtakun. Ky ishte edhe fillimi i përplasjes në mes të deputetëve në Kuvendin e Kosovës. Krejt kjo ndodhi derisa Kurti po mbante fjalimin e tij duke treguar se qeveria ka pasur suksese në Veri.
“I kemi fituar zgjedhjet me 438 mijë vota me datën 14 shkurt 2021. Pesë ditë ish-Qeveria para se të bëhemi ne Qeveri është hekur fletëarresti ndaj këtij kriminelit Radojiçiç. Në Qeveritë e mëhershme ky kriminel ka qenë në Mitrovicë dhe në Prishtinë tash kontributi ynë është që është në hotelin Kopaunik në anën tjetër të kufirit, në anën e Serbisë”.