Tirana luan nesër në transfertë ndeshjen e parë të turit të dytë të Ligës së Konferencës ndaj Beshiktashit. Një sfidë shumë e rëndësishme për bardheblutë, por edhe për ekipin turk.
Kjo shihet nga fjalët e trajnerit të skuadrës së qytetit të Stambollit, ish-trajnerit të përfaqësueses turke, Senjol Gynesh. Ky i fundit, në konferencë për shtyp, ka paralajmëruar se nuk do të jetë e thjeshtë ndaj bardhebluve, të cilët janë një ekip që përshtaten me lojën në fushën kundërshtare.
“Ka qenë një periudhë përgatitjesh intensive. Ne deshëm ta nisnim sezonin mirë dhe përgatitjet kanë shkuar mirë. Por ndeshjet zyrtare janë më të rëndësishme se ato miqësore. Tani do luajmë ndeshjen tonë të parë zyrtare. Nuk bëjmë dallime mes skuadrave të mëdha dhe të vogla. Në ndeshjen tonë të parë do të luajmë ndaj Tiranës ku ka disa futbollistë që i njohim.
Ata e bëjnë mirë kundërsulmin, kanë një orientim të mirë në mbrojtje. Ato po mundeshin 1-0 në fushën e tyre dhe ia dolën të barazonin në minutat e fundit. Pastaj fituan 2-1 jashtë fushë. Ata janë një ekip që përshtatet më mirë në ndeshjet në transfertë. Do të jetë një ndeshje e vështirë. Por ne kemi fuqi, besim, cilësi, ne duam të marrim rezultate të mira në të dy ndeshjet. Duam që të vazhdojmë më tej.
Kjo ndeshje do të jetë një test për ne. Ne jemi munduar që të përmirësojmë strukturën tonë të lojës, djemtë kanë bërë një punë të mirë dhe unë pres që të jetë njëlloj edhe nesër.
Ne duhet të jemi të përgatitur për kundërsulme, pasi bëhemi një skuadër entuziaste që mbyll ekipin kundërshtar në fushën e vet dhe dëshiron të fitojë. Unë pres të bëjmë futboll pozitiv, ambicie për të fituar dhe paraqitje individuale që integrohen në lojën e ekipit. Ambienti do të jetë i mirë, meqë është ndeshja e parë zyrtare, tifozët do të vijnë për të parë një futboll të mirë”, tha ndër të tjera Gynesh në konferencën për shtyp.