Portali qeveritar e-Albania do t’i nënshtrohet një transformimi rrënjësor brenda këtij viti. Kryeministri Edi Rama thotë se qytetarët që do marrin shërbim do të komunikojnë me e-Albanian njëjtë si ChatGPT, ku do marrin përgjigje në kohë reale për çdo pyetje.

e-Albania s’do të jetë më thjesht me shkrim, por qytetarët do kenë edhe ‘shoqëruesin’ me zë, ku do kenë opsionin edhe për video call që të orientohet për të gjithë procesin e marrjes së një shërbimi të caktuar.

“Po ashtu jemi duke transformuar e-Albania. Në fillim të sezonit do komunikojë me qytetarët njësoj si ChatGDP. S’do ketë më nevojë për help desk e e-Albania, qytetari që do hyjë në e-Albania do jetë i shoqëruar nga inteligjenca artificiale si dikush nga mbrapa ekranit që i shkruan në kohë reale. Edhe Bashkëqeverisjen do e fusim në këtë proces. Brenda vitit do kemi edhe shoqëruesin virtual me zë dhe figurë. E-albania s’do jetë më thjesht me shkrim, por do marrësh me Face Time dhe ai personi, që nuk është real, po di të gjitha, do të drejtojë, kliko këtu, shko aty për të marrë shërbimin. Edhe për drejtësinë kemi nis një projekt të inteligjencës artificiale. Do informojë publikun, do rrisë transparencës”, tha Rama.