Një ngjarje e rëndë ka tronditur Kaliforninë pasi një burrë goditi me thikë një grua dhe postoi një video të momenteve të saj të fundit në Facebook.
Policia u njoftua përmes telefonatës nga një përdorues i rrjetit social Facebook, i cili kishte parë gjithë agoninë e gruas të pasqyruar përmes videos.
Telefonuesi dha emrin dhe numrin e telefonit të burrit që postoi videon. Numri i telefonit u gjurmua në një kompleks apartamentesh në San Mateo.
Hetuesit më vonë arrestuan të dyshuarin 39-vjeçar, Mark Mechikoff, në San Jose, tha policia.
“Ndërsa motivi i gjuajtjes me thikë të viktimës është ende nën hetim, ne dimë se Mechikoff filmoi pa mëshirë momentet e fundit të jetës së viktimës dhe postoi videon në Facebook, më pas u largua nga zona”, tha policia e San Mateos në deklaratë.
Para arrestimit, oficerët e policisë kaluan gati tre orë duke shkuar derë më derë në kompleksin e madh përpara se të gjenin viktimën në një apartament.
I dyshuari kishte ikur por oficerët e arrestuan atë brenda dy orëve nga gjetja e viktimës, tha policia.
Mark Mechikoff përballet me akuzën për vrasje të rëndë. Ai u paraqit në gjykatë të premten dhe do të kthehet në gjykatë më 4 gusht.